Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 09:00

Tiranë – Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov vizitën e tij dyditore në Shqipëri e përfundon sot me takimet që do të ketë me kryebashkiakun Edi Rama dhe me përfaqësues të pakicës maqedonase në vendin tonë.

Shefi i shtetit të Maqedonisë dje pati takim me kreun shtetëror të Shqipërisë. Në takim u konstatuan marrëdhënie të mira politike. Presidenti Ivanov dhe nikoqiri i tij Bamir Topi vlerësuan se duhet të përmirësohen edhe ato ekonomike, me çka parakusht është lidhja infrastrukturore e dy vendeve. Ata janë të kënaqur nga këmbimi turistik, pasi që një numër i madh i shtetasve të Maqedonisë kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar, ndërsa turistët nga Shqipëria praktikojnë sporte dimërore në Maqedoni.Baza1

Bashkëpunimi ekonomik dhe nevoja për intensifikimin e saj ishte tema kryesore në bisedimet Berisha-Ivanov. Në këtë takim janë hapur edhe çëshjte me interes të pakicës nacionale maqedonase në Shqipëri. Berisha ka thënë se do të angazhohet që Lektorati për gjuhë maqedonase të shndërrohet në Katedër për gjuhë maqedonase në Universitetin e Tiranës dhe tërësisht të financohet nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë.

Kënaqësi nga marrëdhëniet e dy vendeve është shprehur edhe në takimin e Ivanovit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ka inicuar që së paku një herë në vit të ketë takim të kryetarëve të parlamenteve të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe të komisioneve për politikë të jashtme. Në takimin me Topallin, Ivanov ka theksuar se është e nevojshme veprim i përbashkët më agresiv të dy shteteve para fondeve të BE-së për projekte nga sfera e infrastrukturës, energjetikës dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Shqipëria dhe Maqedonia që nga dita e djeshme kanë edhe marrëveshje për mbështetje dhe bashkëpunim të ndërsjellë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Marrëveshjen e nënshkruan zëvendës-ministrat e Punëve të Jashtme, Zoran Petrov dhe Eduard Hoxha.