Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 15:16

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot Ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, Saba D’Elia dhe Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, Bojan Bertoncelj.

Dy ambasadorët i përcollën ministrit Haxhinasto mesazhin e përbashkët që ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhe ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar, i dërgojnë përfaqësueses së lartë të BE për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Cathrine Ashton dhe Komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fyle.

Në mesazhin e tyre ata theksojnë se “perspektiva europiane e Shqipërisë mbetet objektivi i vetëm i përbashkët i qeverisë dhe opozitës shqiptare dhe kjo duhet të shërbejë si një forcë tërheqëse për të tejkaluar ngërçin politik aktual. Një mesazh i qartë nga Komisioni Europian në progres raportin e ardhshëm, në favor të integrimit europian të Shqipërisë, do të jetë politikisht i dobishëm për vendin”.

Gjithashtu, në mesazh thuhet se procesi i zgjerimit europian po ecën përpara, dhe anëtarësimi i afërt i Kroacisë demonstron qartë se dyert e BE-së janë të hapura, sapo vendet të kenë plotësuar kushtet e kërkuara.