Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 18:20

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi të hënën me ambasadorin e ri italian në Tiranë, Massimo Gaiani, e vlerësoi Italinë “një avokate e fortë e aspiratës integruese të Shqipërisë dhe e vendeve të rajonit”.

Në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, tha ambasadori Gaiani, ka gjithmonë vend për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve parlamentare. “Sa më shumë Shqipëria i afrohet BE-së aq më i rëndësishëm bëhet roli dhe dimensioni parlamentar. Ndaj dhe gjatë mandatit tim, prioritet do të jetë forcimi i kontakteve parlamentare, me një fluks konstant vizitash”, tha ai.

Kryetarja Topalli theksoi se dimensioni i diplomacisë parlamentare duhet të përkthehet në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe në çdo fushë, sepse parlamenti përfaqëson drejtpërdrejt qytetarët.

Duke e uruar ambasadorin Gaiani për misionin e tij të ri diplomatik Topalli tha se Italia është vendi fqinj, me të cilin marrëdhëniet janë më shumë se të shkëlqyera, falë lidhjeve historike, kulturore, ekonomike e njerëzore.

“Italia është një avokate e fortë e aspiratës integruese të Shqipërisë dhe e vendeve të rajonit”, tha ajo, duke hedhur idenë e  organizimit të takimeve të përbashkëta rajonale, ide që u përkrah nga ambasadori i Italisë.

Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Gaiani diskutuan për një shkëmbim edhe më të shpeshtë mes komisionesh parlamentare të veprimtarive prodhuese, transportit, ekonomisë, për të mundësuar kështu edhe projekte kombëtare, por edhe rajonale e infrastrukturore nga BE-ja.

Topalli tha se gjatë vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të ishte kënaqësi të organizohen aktivitete dypalëshe mes dy vendeve, historia e të cilëve, ka shumë pika të përbashkëta.

Ambasadori Gaiani tha se do të impenjohet personalisht për konkretizimin e këtyre ideve, duke shprehur bindjen në një dialog edhe më të fortë e më të afërt, mes Italisë e Shqipërisë.