Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 08:30

Tiranë – Dyqind e shtatëdhjetë kilogramë drogë e llojit marihuanë u konfiskuan dje nga policia e Brindisit, në bashkëpunim me zyrtarë të doganave. Në pranga ka rënë një shqiptar.

Droga e kapur në disa dhjetra pako, u gjend nga autoritetet e kontrollit në një automjet brenda anijes “Shpirti i Jonit”, që sapo kishte zbarkuar në Brindisi pasi ishte nisur nga qyteti i Vlorës.

Marihuana ishte fshehur në brendësi të qosheve më të thella të makinës.

Policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit, një person me kombësi shqiptare. Policia nuk bën të ditur emrin e personit të arrestuar për arsye hetimore. Ai u dërgua në burgun e Brindisit nga ku do të vijojë ndjekja e tij penale nën akuzën për trafik ndërkombëtar të drogës.