Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 13:14

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, e cilëson raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit si “realist, të balancuar dhe frymëzues për reformën zgjedhore”, për të cilën thotë se “do të jetë e pakushtëzuar”.

Në një intervistë për të përditshmen “MAPO”, deputeti socialist mbështet “kthesën” e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe e këshillon atë të distancohet prej radikalëve në parti.

Duke e konsideruar të papërshtatshme rrugën që gjeti kreu i opozitës Rama për të reaguar ndaj raportit të ndërkombëtarëve, ai shprehet se në këtë dokument vlerësimi për zgjedhjet “ka momente për të cilat nënkuptohet progres, stanjacion apo në ndonjë rast edhe regres”.

Islami komenton qëndrimet e fundit të liderit të opozitës për një qasje të re politike të PS-së, duke e mbështetur atë si rrugën e duhur.

“Rama duhet përshëndetur për këtë pendesë të tij: kjo do të ishte pendesë e vërtetë dhe jo ajo për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit: pra për të hequr dorë nga organizimi i protestave dhe për të realizuar një qasje paqësore në veprimet politike të PS-së”, thotë Islami në intervistë.

Sipas tij, “Rama është në test, nëse kjo që ka thënë është një bllof taktik apo një reflektim i sinqertë, që do të shoqërohet me veprime konstruktive për fitimin e statusit të vendit kandidat në BE. Mbeten për t’u “monitoruar” veprimet në vijim, por sidoqoftë, në këtë moment, kjo “kthesë”, qoftë edhe në retorikë, duhet vlerësuar, përshëndetur dhe mbështetur”.

Islami shton se “nëse Rama nuk reflekton sinqerisht, kjo mund të jetë arësyeja e humbjes edhe në 2013, gjë që nuk do ta dëshiroja”.