Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 10:43

Tiranë- Deputeti socialist Kastriot Islami, duke analizuar Kongresin e Partisë Socialiste, që zhvilloi punimet ditën e shtunë, tha se në të u godit mendimi ndryshe. “Hera e tretë është më shumë vazhdim i Herës së parë dhe i Herës së dytë”, tha deputeti Islami.

“Në Kongres kisha vendosur vetëm të dëgjoja, duke pritur një reflektim dhe pranim të sinqertë për të gjitha gabimet në drejtimin e PSSH që nga 2005, që deri më sot përmblidhen në ‘politikën e re’ dhe radikalizimin dyvjeçar”, tha Islami në një intervistë në shtypin e sotëm.
    

Sipas tij, “në Kongres nuk u hodh asnjë tezë për bashkimin e së majtës, ndërkohë që Hera e Parë dhe Hera e Dytë dështuan, se e majta ishte e përçarë”. “Prandaj mbetem i vendosur të komunikoj me publikun, proporcionalisht me mosreflektimin për defektet dhe mungesën e transparencës, por akoma më shumë me kundërshti në proporcion progresiv me drejtimin e personalizuar, klientelizimin ekstrem e mungesën e konkurrimit të ndershëm”, tha Islami.
    

Ndërkohë, Komisioni i zgjedhjeve do të nisë sot numërimin e votave të 1500 delegatëve të Kongresit për Asamblenë e re. Mësohet se nga Asambleja e re janë larguar 42 anëtarë.