Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 11:09

Tiranë – Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, ka bërë një analizë ku shpjegon arsyet pse kreu i PS-së, Edi Rama, humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, të cilat, sipas tij, ishin shkaku që edhe për dy vjet të tjera politika shqiptare të mbetet me shumë gjasa në “ngërç” dhe në labirintet e politikës së vjetër.

Sipas Islamit, gjasat janë që edhe për dy vjet të tjera të vazhdojë e njëjta situate, si në vitet 2009-2011, por me formë dhe stil ndryshe.

“Ngërçi” me anë të “bojkotit dyvjeçar donkishotesk” do t’ia lërë vendin “ngërçit” tanimë “pa bojkot përmes luftës me stilin e Shvejkut”, ku palët do të përgjërohen për demokracinë dhe integrimin, por nuk do të merren dot vesh”.

“Zgjedhja e Presidentit, për shkak të zgjedhjes me anë të tij të Prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të SHISH-it, do t’i hedhë më shumë benzinë zjarrit”, shprehet Islami.

“E majta”, analizon Islami, “mbetet e përçarë dhe rezulton humbëse në Bashkinë e Tiranës në 2011-ën. Për të reflektuar sinqerisht në funksion të suksesit në vitin 2013, duhet të kryhet analiza realiste e situatës në PS dhe në të majtën shqiptare, përndryshe shanset e humbjes në 2013-ën janë shumë të larta”.

Një përfundim tjetër që arrin Islami është se, PS ka menduar më shumë për veten duke pasur kështu aleatë dhe koalicion të dobët, ndërsa PD ka aplikuar një politikë më fleksibël ndaj aleatëve, duke i lënë më shumë terren atyre të rriten për vetë natyrën më të decentralizuar të votave në zgjedhjet vendore.

Sipas Islamit, PS megjithëse në opozitë, ka përkeqësuar shumë marrëdhëniet e saj me aleatët tradicionalë, sesa PD, e cila ka 6 vjet në pushtet. Arsyeja kryesore e humbjes së PS-së mbetet përçarja e saj me LSI-në, deri në atë pikë sa LSI detyrohet të testojë pas koalicionit politik të 2009-ës edhe koalicionin elektoral në 2011-ën.

Sipas Islamit, këtu nuk janë marrë parasysh arsyet që lidhen me funksionimin dhe performancën e PS-së dhe sidomos drejtimin e saj, të cilat përbëjnë një nga arsyet themelore të humbjeve të PS-së në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, në zgjedhjet  vendore të 2011-s dhe në menaxhimin e mundësive gjatë zgjedhjes së Presidentit në vitin 2007.