Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 17:50

Tiranë – Në ditën Ndërkombëtare të HIV/AIDS qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për rritjen e testimeve vullnetare.

“Shqipëria mbetet një vend me prevalencë të ulët, ndërkohë që së bashku me Kombet e Bashkuara po punon për përmbushjen e objektivit “Zero infeksione, zero vdekje, zero diskriminim”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një konference për Ditën Ndërkombëtare të HIV AIDS, në Hotel “Tirana International”.

Të paktën 65 raste të reja HIV pozitiv janë identifikuar gjatë këtij viti, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 478, bëhet e ditur nga Instituti i Shëndetit Publik në Ditën Botërore të Luftës kundër HIV/AIDS, 1 dhjetori. Të dhënat nga ISHP, flasin për 335 meshkuj HIV pozitiv dhe 143 femra, si dhe 24 fëmijë nën moshën 15 vjeç. Të dhënat flasin për 92 vdekje nga AIDS. Ndërkohë, në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, me në total 92%.

Në Ditën Botërore të Luftës kundër HIV/AIDS, janë organizuar një sërë aktivitetesh me qëllim informimin e popullatës për këtë sëmundje.