Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 16:13

Prishtinë – Kryesia e OVL të UÇK-së ka shprehur shqetësimin e thellë për emërimin e rumunit Marian Petre në krye të policisë speciale të EULEX-it dhe rreth qëndrimit joparimor dhe provokues të EULEX-it rreth funksionalizimit të gjykatave në Mitrovicë.

Kryesia e OVL të UÇK-së ka diskutuar  për situatën aktuale në vend.

“Ky mision, me qëndrimin e tij që funksionalizimi i gjykatave është çështje politike, është vënë në pozicione të njëjta me Serbinë. EULEX-i dhe të gjithë faktorët e tjerë vendimmarrës, duhet ta kenë të qartë se brenda territorit të Kosovës sovrani i vetëm është populli”, thuhet në një komunikatë për media.

Duke folur rreth emërimit të Petre në krye të policisë speciale të EULEX-it, OVL e UÇK-së thekson se populli i Kosovës ka humbur besimin në policinë rumune, e cila i vrau dy të rinj shqiptarë më 10 shkurt dhe ishin policët rumun që u zunë duke bërë kontrabandë.

“Moralisht, duke ia shtuar kësaj edhe faktin që Rumania nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nënshtetasit rumun, nuk do të duhej fare që të jenë pjesë e ndonjë misioni në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatë.

Përkitazi me zgjatjen e paraburgimit për bashkëluftëtarët e Brigadës 121, OVL e UÇK-së konsideron se janë shkelur të gjitha procedurat ligjore, për çka fajëson EULEX-in se ka dështuar në të ashtuquajturën drejtësi nga ana e këtij misioni evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se EULEX, me veprimet (mosveprimet) e tij e ka degraduar veten plotësisht dhe si i tillë është i panevojshëm”, përfundon komunikata.