Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 13:13

TIRANE (PLOTESUAR 12 TETOR, 21:10)- Ish-të përdjekurit politikë të cilët prej 21 ditësh vijojnë grevën e urisë në dy cadra të improvizuara në zonën e Komunës së Parisit, shpallën pasditen e sotme grevën e vdekjes.

Grevistët marrin kështu aktin ekstrem të mohimit edhe të ujit të pijshëm, ndërkohë që theksojnë se vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke i larguar pijet. Ata fajësojnë palën negociatore që ka qënë në takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani pasi nuk solli rezultatin e dëshiruar, por nxitën tensionet mes koordinatorëve të grevës dhe uniformave blu që mbikëqyrin grevën.

Ish-të burgosurit politikë kanë hyrë sot në ditën e 21-të të grevës së urisë. Me kalimin e ditëve është rënduar edhe gjendja e tyre shëndetësore, por sot duket se situata ka ndryshuar, pasi ata u ulën në bisedime me kreun më të lartë të shtetit, Buajr Nishani. Grevistët takim edhe me dy zv.ambasadorë të SHBA e Francës. Mbështeten edhe nga shoqata e ish-të përndjekurve në Korçë.

NJË GREVIST RËNDË, REFUZON SPITALIN
Ora 19:40
-Një nga grevistët refuzon të shoqërohet në spital. Gjendja e Ramazan Spahiut, 75 vjeç është rënduar së tepërmi pas ditëve në grevën e urisë. Mjekët kanë kërkuar ta shoqërojnë në spital, por ish-i dënuari politik ka refuzuar.
“Policia na ka hequr dhe ilaçet që ne pinim”, thanë grevistët.

Kukan: Greva, situatë tragjike

Ora 19:30- Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan deklaroi për Top Channel se greva e ish-të përndjekurve politikë është një stutatë shumë tragkike. “Kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa ndërmarrin aktin e vetëflijimit, kjo është shumë e dimbshme”, tha Kukan, i cili deklaroi se beson që qeveria do ta zgjidhë situatën e kompensimit financiar të tyre.

TAKIMI ME ARVIZU: U TREGUAM INCIDENTET, NA PREMTUAN NDIHMË
Ora 18:35-Skënder Tufa së bashku me një përfaqësues tjetër vizituan sot ambasadën amerikane në Tiranë ku dhanë shpjegime para ambasadorit Arvizu rreth situatës së krijuar.  “Ne morëm kontakte dhe treguam të gjitha ato që pamë bashkarisht. I treguam dhe sjelljen e policisë ndaj nesh, dhe një urdhër nga policia që unë dhe Skënder Tufa mos t’i afrohemi çadrës për një arsye që nuk e dimë. Kemi 21 ditë pa bukë, tani lamë dhe ujin. Ata na premtuan se do merren me telefonata, me mundësitë që kemi, se nuk mund t’i japim urdhër një shtetit”, thanë TVNeës24, koordinatorët e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë.

GREVISTËT: LARGONI POLICINË NGA GREVA
Ora 18:30-Ish-të burgosurit politikë, grevistët e urisë kanë bërë të ditur se policia po pengon zhvillimin e mëtejshëm të grevës së urisë. Ata i bëjnë thirrje policisë të largohet nga ambientet e grevës së urisë. Në një deklaratë në formë letre të hapur ata i drejtohen Presidentit, Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm që të ndihmojnë ti jepet fund këtij trajtimi c’njerëzor që po i bëhet kësaj klase, ndërsa përsërisin që kërkojnë dëmshpërblim.

Grevistët deklaratë urgjente:
“I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, Nëse akoma vazhdon të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve që mbas takimit me të prisnim një vijimësi dialogu dhe një barrier anti-njerëzore.  z. President edhe në Burgun e Spacit dhe të Qafës së Barit ku shumica jone ka vuajtur dënimin na lejoheshin të na vizitonin gratë dhe fëmijët. Rrethimi jonë nga policia është i turpshëm dhe i antinjerëzor. z. President si President i të gjithëve shqiptarëve pavarësisht preferencave tuaja, Ju bëjmë thirrje të silleni si i tillë.
z. Kryeministër ti ndalosh në grevën e urisë në ditën e 21 që grevistët të marrin ujë dhe çaj është sikur t’i kesh vrarë vet me dorën tende. Si mjek e di fare mirë që trupi ynë i raskapitur në mungese të lëngjeve do të japi shpirt.

Po të bëjmë thirrje Kryeministër se ne nuk dalim nga këto gardhe dhe kurthe policesh që na ke ngritur. Shpresojmë të na marrësh seriozisht sepse e kemi treguar deri tani që jemi të tillë. Nëse na ndërpret lëngjet dhe mjekimet ne do të rrimë këtu deri sa të vdes secili nga ne. Dhe të gjithë, ne, jemi në ndërgjegjen tënde. Le të shërbejë kjo thirrje e sotme si testament ligjor për këdo qoftë, Prokuror i Përgjithshëm. Ne po na lenë të vdesim me ndërgjegje të plotë veç për ego të semurë të një drejtuesi që tashmë ka humbur lidhjen me realitetin, vendin dhe qytetarët e tij. 

I bëjme thirrje Trupit të huaj diplomatik në Tiranë që të garantojnë lirinë dhe të drejtën të kushtetuese të tubimit, protestës dhe grevës së Urisë. I bëjmë thirrje për të ushtruar të gjithë presionin e tyre pozitiv përkundrejt këtyre njerëzve që po na çojnë me vetëdije drejt vdekjes. I bëjmë një thirrje të fundit edhe Ministrit të Brendshëm. Tërhiqe policin z.Ministër, se nuk jemi në Korenë e Veriut. Këtu jemi në mes të Tiranës. Zotrote nuk duam të na politizoni deklaratën tonë, por ne nuk kërkojmë, shtëpi nga liqeni e nga Gjiri i Lalzit, as ‘Range Rovera’ nga ato që ju Zotrote keni siguruar me “djersen e ballit”. Tërhiqi policet dhe sillu si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, sillu si qytetar dhe si ministër. Sjelljet prej tepisti veç do legjitimojnë më shumë kauzën tonë.

Ne duam lekët e dhimbjeve që Komunizmi na ka shkaktuar e duam vetëm të hamë pak bukë e t’u vemë fëmijeve një strehë mbi kokë. Sa më shumë të na lini të vuajmë aq më shumë si në poezitë e Majakovskit do të gdhendi mitin tuaj të diktatorit dhe të të papërgjegjshmit.  Kërkojmë nga të gjithe shqiptarët e ndershëm, të vuajtur e familjar të vinë të jenë pranë nesh për të na mbështetur e garantuar të mos dhunohemi nga Policia”.

SKËNDER TUFA NË AMBASADËN E SHBA PËR INCIDENTET
Ora 17:50-Ndërkohë Skënder Tufa ndodhet në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ku po jep deklaratën e tij për incidentet me grevistët që tentojnë vetëflijimin duke i vetëdjegur.

BIBERAJ: QYTETARË BASHKOHUNI ME ISH-TË BURGOSURIT POLITIKE
Ora 17:40-Përfaqësuesi i FRD, Aleksandër Biberaj u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen me kërkesat e ish-të burgosurve politikë që ndodhen në grevë prej disa ditësh. Biberaj tha se qeveria tregoi qartë se ka urrejtje klasore ndaj kësaj shtrese sepse në krye të saj qëndron një ish-sekretar partie. “Këta qytetarë nuk mund të lihen sot të vdesin këtu. Kërkesat e tyre janë legjitime, të mirëfillta ekonomike”, tha Biberaj.

MBËRRIN NË AEROPORTIN E RINASIT LIRAK BEJKO
Ora 15:10
Mbërrin në aeroportin e Rinasit Lirak Bejko, i vetëdjeguri i dytë i grevës së urisë. Lirak Bejko pritet të niset për në Itali, shoqërohet nga bashkëshortja.
Në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko, ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë. Si pasojë e flakëve 47-vjecari pësoi djegie në 50% te trupit dhe vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në pavionin e djegieve. (LajmeShqip.com)

LAMAJ: PRESIDENTI I GATSHËM TË NA VIJË NË NDIHMË
Ora 13:10- Pas takimit me Presidentin Nishani, njëri nga grevistët Fatmir Lamaj deklaroi për News 24 se ai ishte i gatshëm t’ju vinte në ndihmë.
“Presidenti Nishani u tregua i vëmendshëm. Pamë nga ana e tij gatishmërinë për të na ardhur në ndihmë. Nishani i mbajti shënim kërkesat, la të hapur shtegun e bisedimeve”, tha grevisti.

Lamaj sqaroi më tej se greva e tyre do vazhdojë me deri në zgjidhjen e situatës.
“Greva jonë do vijojë me të njëjtin përkushtim deri në zgjidhje. Kuptuam se ishim të përfaqësuar nga Presidenti Nishani. Jemi të kënaqur për gatishmërinë që shfaqi”, shtoi ai.

PËRFUNDON TAKIMI I GREVISTËVE ME NISHANIN
Ora 12:21-
Ka përfunduar pas 1 ore takimi i përfaqësuesve të grevës së ish- të përndjekurve me Presidentin Bujar Nishani. Njëri prej tyre, Fatmir Lloci ka deklaruar se i kanë parashtruar presidentit kërkesat e tyre. Nuk dihet ende se çfarë përgjigje iu ka dhënë presidenti grevistëve, ndërsa ata janë shoqëruar nga një makinë e Ambasadës Amerikane.

GREVISTËT TAKOJNË NISHANIN
Ora 10:50- Kështu rreth orës 10:40, 3 përfaqësuesit e ish-të përndjekurve kanë hyrë në Presidencë për të takur Bujar Nishanin, me të cilin d të diskutojnë edhe arsyet e ngujimit në grevën e urisë, por edhe të akteve të rënda që dy prej tyre kanë ndërmarra.

SHOQATA E ISH-TË PËRNDJEKURVE POLITIKË NË KORÇË PËRKRAH GREVËN
Ora 10:19
Shoqata e ish-të përndjekurve politikë në qytetin e Korçës është solidarizuar me grevën që një grup ish-të burgosurish politikë po ndjekin prej 21 ditësh në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Sekretarja e shoqatës së ish-të përndjekurve, Shpresa Merdani është shprehur për mediat se mbështesin dhimbjen dhe kërkesat e grevistëve në Tiranë. “Jemi kundër heshtjes së qeverisë ndaj një grupi ish-të burgosurish. Për t’i përkrahur janë nisur një grup ish-të dënuarish nga Korça. Një pjesë e tyre mund t’i bashkohet grevës”,- tha Merdani.

Ndërkohë, duke bërë thirrje që qeveria të ulet e të dialogojë me to, ato shprehen se janë kundër akteve sublime që ato kanë marrë. “Greva nuk është politik,por është vetëm ekonomike”,- tha ish-e përndjekura politike Vaske Orgocka. 

TUFA: NISIM NEGOCIATAT
Ora 08:40-
Skënder Tufa, kordinatori i kësaj greve sqaroi sot për News 24 se për grevistët tashmë është hapur një dritë jeshile, pasi kanë nisur negociatat.
Ai u shpreh se përfaqësues të grevës janë takuar me zv.ambasadorin e SHBA-ve, ndërsa tre prej tyre pritet të takojnë Presidentin Bujar Nishani.

Me ish-të përndjekurit grevistë është takuar sot edhe zëvendës ambasadori i Francës, i cili është interesuar në vecanti për gjendjen e shqiptaro-francezit Lavdosh Beqo 81-vjec. Mësohet se Lavdosh Beqo, hyri në grevë pas vetëdjegies të Gjergj Ndrecës. 

GREVA
Ish- të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit në dy çadra pranë zonës “Komuna e Parisit” një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish- të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që Qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën. 

GJERGJ NDRECA 
Ish i përndjekuri, Gjergj Ndreca më 8 tetor tentoi të vetëflijohej duke u lyer me benzinë, ndërkohë që grevisti Llazi Koçi, humbi ndjenjat në përpjekje për t’i shuar flakët mikut të tij. Ndërkohë, sot në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë.

LIRAK BEJKO
Pas Gjergj Ndrecës, shoku i tij, ish i burgosuri politik, Lirak Bejko 47 vjeç, nga Skrapari ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes. (LajmeShqip.com)