Lajme Shqip Saturday, 10 November 2012 18:21

TIRANË -Drama me ish-të burgosurit politik nuk ka fund. Pas vdekjes së Lirak Bejkos, plagëve të Gjergj Ndrecës nga vetëdjegia me benzinë, një tjetër apel i ngjashëm bëhet nga Asllan Patrioti. Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politike bëri të ditur sot në një intervistë për TvNews24 se do t’i japë fund jetës me vetëdjegie për shkak të vendimit të padrejtë të Gjykatës së Apelit. Patrioti theksoi se nuk meriton të qëndrojë në arrest shtëpie për një krim që nuk e ka kryer dhe se ky qëndrim pasiv në shtëpi po u pret bukën fëmijëve të tij.

“Kam deklaruar se do të ndjek shembullin e Lirak Bejkos. Arrestimi më është bërë me anë të politikës dhe jo se kam bërë ndonjë krim dhe nëse unë kam bërë një krim, një arrestim i tillë jashtë cdo lloj norme njerëzore nuk duhej bërë”, tha Patrioti. 

“Nëse një kryefamiljar nuk do dalë dhe të nxjerr bukën e gojës, por të rrijë arrest shtëpie do të thotë se është një vdekje e dytë sidomos për këtë shtresën e të përndjekurve politik. Vite të tëra që ky shtet nuk na ka ofruar akoma punë nuk na ka ofrua akoma një banesë. Unë do të vetëdigjem dhe shumë shpejt. I thashë nëse ti nuk heq arrestin e shtëpisë dhe nuk më jep këstin e lekëve të prapambetura unë do të vetëdigjem”, shtoi ish- i përndjekuri politik. 

Sa këste ke marrë deri tani?
“1 këst, para katër viteve. Më takonjë edhe 2 këste të tjera”, tha Patrioti.(B.W)