Lajme Shqip Wednesday, 07 November 2012 13:26

TIRANE– Ceremonia e homazheve për Lirak Bejkon u zhvillua pranë institutit të ish-të përndjekurve, për rreth dy orë, ndërsa miq, të afërm dhe politikanë, e figura të medias ishin të pranishëm. Ish- i pëndjekuri Gjergj Ndreca la spitalin dhe erdhi në ceremoni: ‘Nderoj martirin e demokracisë”, ishin fjalët e tij, para se të përkulej mbi trupin e bashkëvuajtësit të grevës.

Homazhe pranë trupit të pajetë të Lirak Bejkos kanë zhvilluar edhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, Kreu i PLL-së e njëherësh zv/ministër i Mbrojtjes Ekrem Spahia, kreu i PLD-së Spartak Ngjela por edhe përfaqësuesit e FRD-së Gazmend Oketa e Aleksandër Biberaj kanë kryer homazhe dhe kanë ngushëlluar familjarët. Homazhe edhe nga personalitete të medias.

Trupi i pajetë i ish-të përndjekurit Lirak Bejko, mbërriti dje në Atdhe me tragetin e linjës Bari-Durrës, ndërsa është pritur nga familjarët e tij, e më pas është transportuar drejt banesës në Tiranë, ku familjarët, të afërmit e miqtë i dhanë lamtumirën e fundit. Lirak Bejko humbi jetën pak ditë më parë në një spital në Bari, nga plagët e marra në grevë, ku i vuri flakën vetes me benzinë në shenjë proteste për mosmarrjen e dëmshpërblimit. 

PËRFUNDON CEREMONIA E HOMAZHEVE
Ora 13:05- Përfundon ceremonia e homazheve. Me himnin e flamurit në sfomnd trupi i Lirak Bejkos po lë ambientet e institutit të ish-të përndjekurve dhe po i drejtohet varrezave të Sharrës, ndërsa e mbajnë në krahë bashkëvuajtësit e grevës së urisë.

OKETA: SOT DITË REFLEKTIMI PËR TË GJITHË
Ora 12:24- Deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa menjëherë pas homazheve deklaroi se dita e sotme duhet të jetë një ditë refektimi për të gjithë, për të kthyer vëmendjen tek shtresat në nevojë.“Do të dëshironim t’i shprehnim ngushëllimet më të thella familjes dhe gjithë bashkëvuajtësve, atyre që ishin një simbol për gjithë qytetarët shqiptarë pas viteve 90’. Sot një ditë ku të reflektojnë të gjithë shqiptarët, humbjes së jetës së Lirak Bejkos nuk duhet t’i japim ngjyrime politike, sot të reflektojmë, të kthejmë vëmendjen jo vetëm tek ish- të përndjekurt por edhe tek të gjitha shtresat në nevojë”, komentoi ai.

AK, SPAHIU: QYTETARËT TË KENË NDËRGJEGJE PËR TË REAGUAR
Ora 12:10- Homazhe pranë trupit të pajetë të Lirak Bejkos kanë zhvilluar edhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Ai ka deklaruar për mediat se sot “Tek cdo qytetar duhet të ketë mbetur ndërgjegjia për të reaguar, shqiptarët duhet të thyejnë apatinë, tashmë si 22 vite më parë kur njerëzit vriteshim në burgje, njerëzit vriten në rrugë”, tha ai.

KREU I PS, EDI RAMA HOMAZH LIRAK BEJKOS
Ora 11:18- Ashtu sic pritej, lideri i PS-së Edi Rama ka qënë sot i pranishëm gjatë ceremonisë së homazheve për ish të përndjekurin Lirak Bejko. Kreu i PS-së është përkulur para trupit të pajetë, ndërsa ka ngushëlluar më pas edhe familjarët e ish- të përndjekurit. Kreu i PS-së e ka postuar në Twitter mesazhin e tij të ngushëllimit, për Liraj Bejkon e familjen e tij. Rama shkruan: “Lamtumira për Lirakun mes njerëzish të vrarë 22 vjet në cdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan vec një ferr të ri zhgënjimesh. E pashlyeshme pamja ëngjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve. E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti! U prehtë në paqen që se gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz”, tha ai.

GJERGJ NDRECA: LASHË SPITALIN, PËR MARTIRIN E DEMOKRACISË
Ora 11:02- Gjergj Ndreca, ish-i përndjekuri politik që ndërmori të njëjtin akt vetëflijimi si Lirak Bejko, ka lënë sot ambientet e spitalit për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tij, Lirak Bejko. Në një prononcim për median, ai deklaroi: “Lashë ambjentet e spitalit për të nderuar vëllain dhe bashkëvuajtësin tim, për të nderuar martirin e demokracisë”, tha Ndreca.

TRUPI I LIRAK BEJKOS MBËRRIN TEK INSTITUTI I ISH-TË PËRNDJEKURVE
Ora 10:57- Trupi i pajetë i Lirak Bejkos mbërrin tek Instituti i ish-të Përndjekurve, ku pritet që për rreth dy orë atij ti jepet lamtumira e fundit, nga miq të afërm por edhe personalitete të politikës.Ish-të përndjekurit, bashkëvuajtës me të në grevën e urisë e kanë mbajtur në krahë arkivolin që transportonte trupin e Bejkos, ndërsa mësohet se edhe kur të përcillet drejt varrezave të Sharrës, ata do ta mbajnë në krahë trupin e mikut të tij.

TRUPI I BEJKOS DREJT INSTITUTIT TË ISH-TË PËRNDJEKURVE
Ora 10:40- Trupi i pajetë i Lirak Bejkos niset drejt Institutit të ish-të Përndjekurve, ku pritet të zhvillohen edhe homazhet për nder të tij.Arkivoli i Lirak Bejkos ka dalë nga banesa e tij i mbështjellë me një flamur kuqezi.Pas homazheve mësohet se Bejko do të prehet në varrezat e Sharrës.

DEKLARATAT DJE
Ora 07:37- Pas mbërritjes së trupit të Lirakut në atdhe, në shtëpinë e tij ka qenë i pranishëm edhe kreu i FRD, njëherësh edhe ish-presidenti i vendit, Bamir Topi. Dje ai u bëri thirrje forcave politike në vend që të mos spekulojnë me ish-të përndjekurit.

Për vdekjen e Lirak Bejkos ka shprehur keqardhjen e tij edhe Komisioni Evropian, ku përmes zëdhënësit Peter Stano kanë shprehur këtë mesazh për familjarët dhe Shqipërinë. “Ripërsërisim se është tepër e rëndësishme që të shkurajojmë aktet e tilla si vetëdjegia përmes një dialogu në mes të autoriteteve dhe shoqërisë civile, në mënyrë që të adresohen dhe zgjidhen çështjet e ngritura nga ish-të përndjekurit politikë dhe kjo duhet të ndodhë në kuadër të legjislacioneve të vendit, duke i respektuarato”, – thekson Peter Stano.

Edhe kryetarja e grupit të punës për ish-të përndjekurit në Partinë Socialiste, Keti Bazhdari u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në homazhe, për të nderuar mundin e Lirak Bejkos.”Ai është dëshmor i vërtetë i demokracisë, djalë vital dhe i fortë, që la gjithçka për t’iu bashkuar kauzës. Askush nuk ndalon askënd për të nderuar Lirak Bejkon”, u shpreh Bazhdari.(LajmeShqip.com)