Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 10:13

TIRANË (PLOTESUAR 17 TETOR)- Ndërsa greva e urisë së ish-të burgosurve politikë hyri sot në ditën e 26-të, një vendim nga Gjykata e Tiranës kërkon shpërndarjen e grevistëve duke parrë parasysh një padi nga ana e policisë, që e konsideron grevën të paligjshme. 

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi shpërndarjen e grevës, pasi e shpalli të paligjshme, në një deklaratë për mediat në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj theksoi se ata nuk do të dalin nga greva. Pas deklaratës Lamaj shoqerohet në spital.

TUFA: NË SHQIPËRI DIKTATURË E RE
11:10
Koordinatori i grevës së ish-të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, në një deklaratë para mediave i bëri thirrje qeverisë që të ulen në bisedime për një zgjidhje paqësore, ndërkohë që paralajmëroi se do regojnë nëse nxirren nga greva.

“Berisha iku dhe la urdhërat prapa. Këto nuk janë zgjidhje. Zgjidhja është siç tha dhe ambasadori amerikan dje, uluni dhe diskutoni. Nëse këta njerëz nxirren me vendim gjykate, që dihet se në dorë të kujt janë, ne deklarojmë se në Shqipëri ekziston një diktaturë e re që vepron në mënyrat më brutale dhe veprimi që behet me ne bëhet me çdo qytetar. Ne do i bëjmë thirrje në mënyrë paqësore siç tha dhe miku ynë Arvizu, nëse ju do veproni me vendimin e gjykatës ne do veprojnë në mënyrë paqësore”,- deklaroi Tufa.

PATRIOTI: BERISHA MOS E GËZOFSH DITËLINDJEN! MOS NXIRR GREVISTËT SE DO KESH KUFOMA
Ora 11:00-Koordinatori i grevës së urisë së ish-të burgosurve politikë, Asllan Patrioti, në një deklaratë të ashpër theksoi se nëse përdoret forca kundër grevistëve, do të ketë viktima. Madje Patrioti tërhoqi dhe urimin për ditëlindje ndaj Kryeministrit Sali Berisha që para 2 ditësh festoi 68-vjetorin.

“Unë dje e urova Kryeministrin për datëlindje, dhe ai na e ktheu në këtë monedhë. Por sot e tërheq, ‘Mos e gëzofsh datën e lindjes’. Se këta njerëz që kanë vuajtur për 27 ditë, nuk i ka bërë lopa. Kam heshtur se do bënim mbase negociata, kërkuam të ulim gjakrat, dhe u bëj thirrje, të ulin gjakrat,ndryshe do kesh kufoma. Ne duam dëmshpërblim për ligjin. Çfarë u pengon të na e jepni. Nëse t’i tenton t’i nxjerrësh me forcë këta njerëz, të siguroj se do kemi probleme”.

Koordinatori i grevës së urisë shtoi se ‘kjo grevë nuk do ndalet, do kemi tjetër. Jemi njerëz, kemi të drejta”. Nën thirrjet se greva nuk ka motiv politik, Patrioti nuk bëri të ditur vendin ku do vijojë greva e urisë. “E kemi sekret, ja sa të stabilizojmë gjërat”. 

“Janë ndaluar edhe familjet edhe cigaret, ne kemi qënë në burgjet e Enverit, maskara ka qenë, por 5 minutëshin e familjes e kishte në rregull maskarai. Familjet kanë ardhur dhe nuk i lënë. Ku jemi, në burg apo internim. Të gjithë kontrollohemi, por po të duam ti fusim benzinë ne ja fusim kur të duam, por nuk kemi asnjë qëllim. Nëse të është mërzit pushteti largohu. Unë të them hajt merr pushtet, dhe rri me ne. Ti mban Ilir Metën hajdut në pushtet, Ilir Metën e ke patericë dhe po mbahesh mbi të. Të them hajde me ne Ilir Meta nuk është me ty më”,- tha i revoltuar Asllan Patrioti.

INFARKT NE ZEMER, GREVISTI FATMIR LAMAJ DERGOHET ME URGJENCVE NE SPITAL
Ora 10:40-Pas deklaratës së kryer në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj u transportua në urgjencë sepse pati nje goditje ne zemer. Lamaj ka qenë për ditë të tëra në grevë urie me ish-të burgosur të tjerë, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut të kryera në kohën e diktaturës. Ai u semur nga zemra sapo mësoi vendimin e gjykates për shpërndarje të grevës.

SEQUI: APEL QË AKTET EKSTREME TË VETËDJEGIES TË NDALOJNË
Ora 10:20
Ambasadori i BE-së Ettore Sequi i ftuar në emisioni ‘Vila 24”, ka komentuar grevën e ish- të përndjekurve. Sequi ka bërë apel që grevistët të ndalojnë aktet ekstreme, ndërkohë që bëri thirrje që të nisë dialogu.

GREVISTËT: NUK DALIM NGA GREVA,VETËM PO TË NA NXJERRIN ME FORCË
10:00
Tensionohet situata në ambientet ( pranë Komunës së Parisit), ku prej 26 ditësh një grup-ish të përndjekurish politikë po zhvillojnë grevën e tyre si shenjë protestë për të drejtat e tyre.

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi shpërndarjen e grevës, pasi e shpalli të paligjshme, në një deklaratë për mediat në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj theksoi se ato nuk do dalin nga greva. ‘Paralajmerojme se do te digjemi para parlamentit, duam të drejtat tona’.

Lamaj e cilësoi kryeministrin, Berisha si një pjellë të komunizmit që vazhdon t’i shërbejë. “Kur kam qenë 21 vjeç dhe dola në gjyq për agjitacion dhe propagandë kam thënë këto fjalë: Jam armik i komunizmit deri në vdekje, i kam qëndruar, ndërsa t’i je një pjellë e tija, dhe vazhdon t’i shërbesh”- tha Lamaj, në përgjigje të deklaratave të kryeministrit Berisha, se grevistët po përdoren nga Partia Socialiste.

Lamaj sqaroi po ashtu edhe akuzat që janë lëshuar mbi të për privatizime të shumta në qytetin e Sarandës. Ai tha se aktualisht nuk ka asnjë pronë, dhe kjo mund të jetë lehtësisht e verifikueshme në hipoteke, ku ka akses çdo qytetar.

Në përgjigje të deklaratave të mbrëmshme të Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, Lamaj tha se së bashku me një bashkëvuajtës kam marrë një repart ushtarak me disa dhoma, por në 97-tën, bandat greko-komunist“Gjykata dha vendim të gabuar në kundërshtim me çdo qytetar. Në një shtet që nuk funksionon ligji demokracia ka vdekur. Në këtë vend nuk ekzistojnë më institucionet e pavarura. Do ta zhvendosim grevën diku tjetër, greva do të vazhdojë. Berisha ka krijuar klone për mbajtjen e pushtetit”,- deklaroi Lamaj. 

GJYKATA VENDOS SHPËRNDARJEN E GREVËS
Ora 09:50-Gjykata e Tiranës vendosi shpërndarjen e grevës së ish-të burgosurve politikë pas një padie nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Në padinë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës konstatohet se greva konsiderohet e paligjshme sepse në të janë kryer vepra penale.

26 DITE GREVË
Ora 07:00-Në ditën e 26-të të grevës së urisë gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve është rënduar së tepërmi. Mjeku, Besnik Lamçe, i cili kujdeset nga afër për të ngujuarit, tha dje se kushtet atmosferike po rëndojnë akoma edhe më shumë gjendjen e tyre. Ndërkohë, ish- të përndjekurit bënë thirrje që të ulen tonet dhe të gjendet një zgjidhje.

Amnesty International i bëri thirrje Qeverisë shqiptare që të takohet me shoqatën e ish- të përndjekurve politikë dhe të vendosë dialogun për adresimin siç duhet të shqetësimeve të tyre. Amnesty International e nxit Kryeministrin Berisha që të adresojë shqetësimet e tyre dhe të sigurohet që kompensimet të bëhen në mënyrën e duhur.(LajmeShqip.com)