Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 14:58

TIRANE- Kryeministri Berisha u ndal të komentojë sërish sot grevën e ish-të përndjekurve politikë, duke e cilësuar atë sërish si politike. Berisha tha se personat e paktë që janë pjesë e kësaj greve të gjithë janë dëmshpërblyer.

“Greva e urisë është kryekëput politike, u ndërmor nga një grup njerëzish të kufizuar. PD kur erdhi në pushtet krijoi kushtet më të mira, bëri gjithcka për të treguar solidaritetin ndaj këtyre qytetarëve të martiruizuar për së gjalli. Ne kemi vendosur një standart që nuk ekziston në asnjë vend tjetër për ta”, tha Berisha.
Kryeministri akuzoi koordinatorin e grevës, Skënder Tufën si njeri jo të duhur për tu marrë me menaxhimin e saj, pasi siç tha Berisha, në kohën e demokracisë ai shfrytëzonte femra për prostitucion.

“Skënder Tufa, një trafikant që shfrytëzonte femra dhe thoshte më dha liri demokracia. Grevistët kanë zgjedhur një trafikant si menaxher, kjo është tragjike për ta. Ai s’ka hyrë vetë në grevë, atë e kanë vendosur me qëllim që të diskretitojë qëndresën e jashtëzakonshme e burrërore të qindra e mijëra qytetarëve në diktaturën hoxhiste”, komentoi ai.

TUFA: TI KOMUNIST I VJETËR DUHET TË LARGOHESH
Pas deklaratave të Kryeministrit Berisha vjen edhe reagimi i koordinatorit të grevës së urisë, Skënder Tufa. Tepër i irritur Tufa e ka akuzuar Kryeministrin si komunist dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.

“Ti si komunist i vjetër po i lë të vdesin grevistët, ne jemi zëri i vërtetë i demokracisë. Largohu dhe lëre këtë vend të qetë. Ti s’mund t’i vërtetosh akuzat se unë jam i degjeneruar”, tha Tufa më tej.(LajmeShqip.com)