Lajme Shqip Thursday, 13 September 2012 12:42

TIRANË-Automjeti i kryeministrit Sali Berisha është goditur sot paradite me qese mielli në hyrje të ambientit të Kuvendit ku po zhvillohej seanca plenare e radhës. Policia ka shoqëruar 2 persona si autorë të incidentit.

Mësohet se 2 ish-të përndjekur politikë kanë hedhur secili nga 1 qese me miell në drejtim të automjetit të Berishës ne momentin sapo kanë parë që eskorta e kryeministrit po i afrohej hyrjes së Kuvendit.

Efektivë të policisë të komisariatit numër 1 kanë reaguar menjëherë duke prangosur 2 persona. Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit, Skënder Tufa, kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Shqipërisë, dhe ish-i perndjekuri, Agim Kollcaku. Ata ishin sot pjesë e një tubimi që mbahej para parlamentit kundër aktit normativ të personave të pastrehë.

Tufa dhe Kollçaku e kanë komentuar këtë gjest të sotëm ndaj kryeministrit si një akt simbolik, për ti kujtuar qeverisë, gjendjen e të burgosurve politikë. ‘ Emrat e tyre nuk janë të panjohur për policinë dhe mediat.

Në 6 gusht të këtij viti, Kollcaku dhe Tufa janë shoqëruar së bashku me 5 ish-të përndjekur të tjerë politikë për shkak të protestës të dhunshme që po zhvillonin para parlamentit. Ata kërkonin dhënien e dëmshpërblimeve si dhe të një trajtimi më të mirë social ndaj ish të përndjekurve politikë.

Incidenti i sotëm me autorë ish-të përndjekurit politikë pason atë të muajit Mars të këtij viti, kur 2 ish-të burgosur politikë qëlluan me grusht kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe njëkohësisht deputetin PD, z. Ilir Rusmajli. 

Tufa, kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Shqipërisë inkurajoi gjestin e kryer ndaj Rusmajlit, duke theksuar se ishte gjest i drejtë ndaj fodullëkut të politikaneve në qeveri që nuk interesohen për hallet e të persekutuarve politikë në kohën e monizmit. (LajmeShqip.com)