Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 15:34

Mitrovicë – Burime të portalit LajmeShqip.com, nga veriu i Kosovës, kanë konfirmuar se një takim i paraparë të mbahet në fshehtësi midis ministrit të Punve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe gjashtë ish-komandantëve të Policisë së Kosovës, katër prej tyre të stacioneve të veriut dhe dy të pikave doganore G1 dhe G31, nuk do të mbahet, për arsye të presioneve që janë duke u bërë mbi ta, nga përfaqësues politikë të serbëve të veriut dhe krerë të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës.

Komandantët e suspenduar të katër stacioneve policore në veri të Kosovës dhe dy të dy pikave doganore, asaj të Jarinjës dhe Bërrnjakut, të premten është dashuar të takohen me ministrin Bajram Rexhepi. Takim ishte paraparë të zhvillohet në Prishtinë dhe larg vëmendjes së mediave mediave.

Por, Portali Lajmeshqip.com ka mësuar se në takim do të merrnin pjesë Bratisllav Kragoviq, ish-komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, ish-komandant në Zveçan, Dragan Stevanoviq, ish-komandant në Leposaviq, Drazha Bozhoviq, ish-komandant në Zubin Potok, kapiteni Zoran Milkoviq, ish komandant në portën G31, në Bërrnjakë dhe togeri Radomir Radosavleviq, ish-komandant në portën G1 në Jarinjë.

Burimi më tej ka pohuar se mbi komandantët e veriut të Kosovës janë bërë presione nga pjesëtarët e MUP-it të Serbisë e, sidomos, nga shefi i tij Gjorgje Dragoviq (Gjolle). Mbi këta komandatë të Policisë së Kosovës që, ditë më parë janë suspenduar dhe larguar nga puna, për shkak të moszbatimit të një urdhri të ish-Drejtorit të Policisë Reshat Maliqit, presion për bojkotimin e këtij takimi janë duke bërë edhe strukturat paralele të politikës dhe kapot e krimit në veri të Kosovës. Shefi i MUP-it serb për veriun e Kosovës, iu ka thënë ish-komandantëve se “nëse ju shkoni dhe uleni në Prishtinë për të biseduar rreth kthimit në Policinë e Kosovës, do të shpalleni tradhtarë të popullit serb”. Po ashtu, bëjnë të ditur burime të portalit, edhe të ashtuquajturit përfaqësues politikë të serbëve të veriut, sidomos ata të Këshilllit Nacional Serb, Milan Ivanoviq e Marko Jakshiq, kryetari Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq dhe ai i Zveçanit, Milloviq, iu kanë thënë komandantëve se nuk do të marrin pergjegjësi nëse diçka iu ndodhë familjeve të tyre. Të njëjtën gjë, në formë kërcënimi, ua ka thënë edhe kapoja i krimit në veri, Zvonko Veselinoviq. Ai, ka qenë i prerë ndaj tyre: “Nuk ka bashkpunim me institucionet e Kosovës”.

Burimet e portalit kanë ka precizuar se të gjashtë ish-komandantët e veriut, nga presioni i madh, frika dhe pasiguria për familjet e tyre nuk do të udhëtojnë të premten në Prishtinë. (LajmeShqip.com)