Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 12:17

Prishtinë – Ish-drejtori i policisë së Kosovës, Behar Selimi thotë se me arrestimin e dy policëve kosovarë është atakuar territori dhe sovraniteti i Kosovës.

Në një intervistë për RTK-në, Selimi tha se është sfiduar sistemi i sigurisë në Kosovë. Madje ai tha se në këtë rast është sfiduar edhe inteligjenca e KFOR-it.

Selimi thekson nevojën e rishikimit të gjithë sistemit të sigurisë dhe sidomos për veriun të përfshihen elementet e ndjeshmërisë, meqë me Serbinë Kosova ka raporte të këqija tha ai. Ai theksoi se akti i arrestimit të policisë duhet të drejtohet në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

“Këtë rast nuk duhet ta heshtim, ky rast ka ndodh dhe nuk bënë ta anashkalojmë në asnjë mënyrë, duhet ta kualifikojmë si akt të agresionit, duhet t’i drejtohemi edhe GJND së Hagës”-tha Selimi.

Selimi thotë se duhet të qartësohen kompetencat për kontrollin e vijës kufitare prej 386 kilometra edhe me Serbinë, në mënyrë që të mbrohet integritetin territorial i Kosovës.

Madje ish drejtori i policisë thotë se tani e tutje institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vendosura edhe sa i përket dialogut me Serbinë.

Ai tha gjithashtu se duhet t’i bëhet e qartë edhe Bashkimit Evropian se pavarësisht vullnetit dhe gatishmërisë për bashkëpunim, ekziston një fund me përballjet e veprimeve të rënda dhe të vazhdueshme të Serbisë në raport me Kosovën.