Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 15:12

Bon – Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, vlerësoi se propozimet për ndarjen e Kosovës janë absolutisht të papranueshme.

Ai tha se është me rëndësi që të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti përgjegjësit në Beograd, të kuptojnë se pa zgjidhjen e çështjes së veriut, pa marrë parasysh se si do të zgjidhet, dyert e Serbisë drejt Evropës nuk mund të hapen më shumë dhe nuk do të hapen.

“Shpresoj se Beogradi e ka kuptuar këtë në të gjitha nivelet dhe se edhe serbët e Kosovës e kanë të qartë një gjë të tillë”, tha ai.

Ish-përfaqësuesi i BE-së që ndërmjetësoi bisedimet shtesë mes Kosovës dhe Serbisë, duke folur rreth situatës së krijuar në veri, tha se do të ishte shumë mirë sikur ky konflikt për çështje kufiri dhe tregtie mes Kosovës dhe Serbisë të mos kishte ndodhur fare. Mirëpo, sipas tij kjo ka të bëjë me çështje të cilat është dashur të zgjidhen kaherë.