Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 12:49

Nga 100 deri në 500 euro shtesë do të përfitojnë një pjesë e punonjësve të Qeverisë së Kosovës çdo muaj bazuar në vendimin e kësaj të fundit që të vazhdojë skemën e Fondit për Kuadro.

Ndonëse në muajin prill ishte rekomanduar nga Ministria e Administratës Publike që të pezullohen pagesat për zyrtarët e institucioneve nga ky fond, ky rekomandim është shpërfillur më datën 12 gusht, nga i pari i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, kur ka nënshkruar që të ndahen gjysmë milioni euro për stafin e 19 ministrive.`

Sipas këtij vendimi, të cilin e posedon Gazeta Fjala, Ministria e Financave e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Zyra e Kryeministrit do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij fondi.

Për kolegët e Hotit në ministri janë ndarë 110 mijë euro ndërsa 50 mijë euro do të shkojnë tek Zyra e Kryeministrit Mustafa.

Në anën tjetër, Ministria e Diasporës, që udhëhiqet nga Lëvizja për Bashkim, e që është partia më e vogël e koalicionit qeverisës, do të jetë përfituesja më e vogël e këtij fondi, me vetëm 5 mijë euro nga kjo skemë.

Kuadrot do të paguhen retroaktivisht

Në vendim thuhet se pagesat do të bëhen retroaktivisht duke filluar nga data 1 janar 2015, që përfshinë pagesat e stafit edhe për periudhën sa fondi ishte i pezulluar.

Fondi për Kuadro është themeluar me vendim të qeverisë së për të krijuar dhe zhvilluar përvojën, kualifikimet dhe shkathtësitë në pozita strategjike dhe prioritare të dikastereve qeveritare.

Sipas përshkrimit të qëllimi të fondi në faqen zyrtare të kryeministrisë, thuhet se Fondi për Kuadro në radhë të parë “synon të mbështesë pozitat ekzistuese në Shërbimin Civil të cilat edhe tani financohen nga buxheti i shtetit në të njëjtën kohë ka për qëllim të sjellë kuadro të reja të kualifikuara dhe me përvojë. “

Gazeta Fjala ka tentuar të marrë përgjigje rreth asaj se pse qeveria ka vendosur të shpërfillë rekomandimin e Ministrisë së Administratës Publike për pezullimin e këtij fondi, por zëdhënësi Arban Abrashi nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

 

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi është shprehur kritik ndaj këtij fondi dhe ka kërkuar që të ndryshohet mënyra e funksionimit të tij.

“Ai duhet të ekzistojë, por si fond për bursa. Më saktë, fond për shkollimin e profileve të caktuara deficitare, madje në universitetet më prestigjioze në botë. Në këtë mënyrë mekanizmat qeveritar paraprakisht përgatisin profile qe iu duhen, por në të njëjtën kohë është një mundësi që të ndihmohen nxënësit apo studentët me aftësi të larte, por që nuk kanë mundësi shkollimi”, ka thënë Rexhepi.

Ai tha se Fondi për Kuadro është fond i shpërblimit të individëve të caktuar dhe se nuk ka pasur kritere të qarta se kush duhet të përfitojë nga këto mjete.

“Ky fond është një mundësi e mirë e përftimit apo edhe e shpërblimit të individëve nga ana e ministrive, apo e dikastereve të tjera qeveritare. Madje mungon edhe ndonjë raport gjithpërmbledhës për të bërë transparente shumën e parave, burimin e tyre, mënyrën e shpërndarjes, individët që kanë përfituar dhe kualifikimet e tyre”, ka shtuar ai.

LDK kritikonte Fondin para se të vinte në pushtet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pati akuzuar Qeverinë e Kosovës se po keqpërdor rreth 1 milion euro para publike në emër të Fondit për Kuadro. Në vitin 2013, rasti më eklatant, sipas kësaj partie, ishte ministrja Kusari-Lila, e cila nga ky fond paguante militantë partiakë.

LDK tërhiqte vërejtjen se nëpër ministri të ndryshme, persona me thirrje të njëjtë profesionale paguhen ndryshe varësisht nga afërsia e tyre me partitë në pushtet. “Disa nga personat e përfshirë në këtë skemë janë të tillë që sapo kanë filluar punën dhe nuk kanë asnjë përvojë. Disa të tjerë janë pa ndonjë ngritje të veçantë profesionale”, ishte qëndrimi i LDK-së në atë kohë. /Gazeta Fjala/