Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 17:30

Prishtinë – Kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha sot në takim me ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Johann Brieger, se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është e papranueshme.

Ai kërkoi nga Qeveria, Bashkimi Evropian dhe gjithë mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, që t’i koordinojnë veprimet, në mënyrë që të pamundësohet mbajtja e zgjedhje serbe në Kosovë. Mustafa tha se, LDK e ka përkrahur Kuvendin e Republikës së Kosovës në miratimin e rezulotës me anë të së cilës kundërshton dhe kërkon moslejimin e mbajtjes së  zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Sa u përket procedurave të vendosura rreth mënyrës së përfaqësimit rajonal të  Kosovës me fusnotë, kryetari Mustafa theksoi se ato nuk kanë qenë demokratike. “Ne jemi deklaruar kundër mënyrës së përfaqësimit të Kosovës, dhe kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër bashkëpunimit evropian dhe ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas njoftimit për media të LDK, ambasadori Brieger theksoi se Austria më me dëshirë do ta shihte Kosovën vetëm me emrin e saj. “Për ne e rëndësishmë ka qenë që Kosova të gjejë një formë që të prezantohet, të jetë në gjendje vetë të nënshkruajë dhe vetë të negociojë”, ka thënë ambasadori Brieger.

Ambasadori Brieger pohoi se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në prezantimet e saj, si dhe në zhvillimin e vendit drejt integrimeve evropiane.  Bëhet e ditur se kryetari Mustafa dhe ambasadori Brieger kanë biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend.