Lajme Shqip Monday, 30 September 2013 12:47

Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherit edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, do të provojë që për herë të tretë të marrë drejtimin e kryeqytetit të Kosovës. Ai ka paralajmëruar se fushata e tij parazgjedhore për këto zgjedhje do të fillojë më datë 3 tetor, dhe moto e saj do të jetë “Sot Komuna, nesër Kosova”.

Që në fillim Mustafa, me vetëdije apo pa të, ua ka bërë të qartë qytetarëve të Prishtinës, se brenda një periudhe kohore më pak se 1 vit, komuna e Prishtinës, mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kreu i LDK-së, edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale, por edhe në ato të ardhshmet të cilat pritet të mbahen në fillim të verës së vitit 2014, do të pretendojë të marrë postin e kryeministrit të vendit. E, edhe me moton e zgjedhjeve të tanishme lokale, na e bënë të ditur këtë. “Sot Komuna, nesër Kosova”, thotë motoja e tij, e cila aludon se, LDK do të fitojë nëpër komuna, e pastaj edhe në zgjedhjet nacionale.

Nëse ndodhë që motoja e LDK-së të realizohet, e Mustafa të fitojë mandatin e tretë në Prishtinë, e më pas edhe në zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm, atëherë kryeqyteti do të duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Prishtinës, pasi kreu i tij, në këtë rast Mustafa, do të marr kreun e ekzekutivit, post të cilin e ka synuar që nga marrja e timonit në parti.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka qenë në dilemë nëse duhet të garojë për mandatin e tretë për kryetar të Prishtinës, por në fund ka vendosur ta bëjë këtë. Në opinion është komentuar se Mustafa këtë veprim e ka bërë nga frika se me një kandidat tjetër, rrezikonin të humbnin qeverisjen në komunën kryesore të vendit. Ndërsa në një intervistë të dhënë kohëve të fundit, as ai nuk e ka mohuar kategorikisht këtë gjë, duke thënë se nuk ka qenë frika për humbje të komunës ajo që e ka shtyrë LDK-në ta kandidojë atë për kryetar të Prishtinës, por dëshira që fitorja të jetë sa më e madhe. (LajmeShqip)