Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 17:11

Zëvëndëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka reaguar në lidhje me deklaratat e deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj, që është dhe në krye të komisionit të ngritur për shkarkimin e tij. 

Albibeaji pretendoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka refuzuar dhenien e dokumentacionit të kërkuar si dhe publikoi të dhëna se Kreshnik Spahiu, sipas raporteve të policisë, ka 39 hyrje-dalje të regjistruara jashtë Shqipërisë.

Spahiu është shprehur se,”prej datës 1 Shkurt 2012 në Këshilin e Lartë të Drejtësisë ka filluar zbatimi i programit të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për peruidhën kohore 01/09/2008 deri me 13/12/2011.

Në këto kushte Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në respektim të plotë të detyrimit kushtetues ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit si i vetmi organ kushtetues për të kryer kontrollin ekonomik, financiar dhe ligjor të institucioneve të pavarura, si dhe të vetmit autoritet që dorëzon dhe raporton në Kuvendin e Shqipërisë për këto kontrolle”.

Përsa i përket pretentimit të Alibeaj për 39 hyrje-daljet në tre vjet e gjysmë, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu deklaroi se: “Aleanca KuqeZi ka dhjetë muaj që është krijuar dhe jo tre vjet e gjysëm, por dëshira për të shtuar numrin e hyrje-daljeve i detyron të shtrihen në kohë. Një pjesë e madhe e hyrje-daljeve janë në Kosovë, Struge, Tetovë, Ulqin, gjë të cilat nuk i konsideroj udhëtime jashtë Shqipërisë, ndryshe nga Z.Alibeaj”.

Asnjë hyrje-dalje nuk është në konflikt interesi me detyrën. Ftoj për interes të publikut dhe respekt të transparencës ndaj tij të publikohet çdo hyrje-dalje e ministrave, deputetëve, dhe zyrtarëve të lartë të vendit tonë në referencë krahasuese me hyrje-daljet e mia”.

Shkarkimi i Spahiut, raporti miratohet në  13 shkurt

Komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, në mbledhjen e thirrur të mërkurën, caktoi 13 shkurtin si datën e miratimit të raportit përfundimtar.    

“Pasi mblodhëm shumicën e materialeve hetimore komisioni do të konkludojë me miratimin më 13 shkurt të raportit përfundimtar, ku do të paraqiten qëndrimet rreth veprimtarisë së zv/kryetarit të KLD-së Spahiu, objekt i hetimit parlamentar. Pas miratimit, raporti do t’i përcillet seancës plenare të Kuvendit”, u shpreh kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj.
Ai theksoi, se ndonëse është kërkuar informacion nga KLD lidhur me objektin hetimor të komisionit, ende nuk ka  asnjë përgjigje nga ky institucion.

Alibeaj i dha një afat të dytë drejtuesit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Spahiu për t’u paraqitur të premten (10 shkurt) në seancë dëgjimore para komisionit parlamentar. “Për të qënë strikt ne ramë dakord t’i çojmë një tjetër shkresë Spahiut, që në mbledhjen e ditës së premte (ora 10:00) ai të mund të paraqitet në komision. Ky i fundit ka detyrimin ligjor të dëgjojë opinionin e zyrtarit të KLD-së lidhur me objektin e hetimit parlamentar”, tha kryetari.

Komisioni hetimor, ku nuk merr pjesë opozita, u ngrit me vendim të Kuvendit për shkarkimin e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit akuzohet nga maxhoranca për devijim nga funksioni kushtetues duke u angazhuar në politikë, si dhe abuzim me detyrën me largime afatgjata.