Lajme Shqip Sunday, 07 July 2013 18:24

Prishtine – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë pritur sot në Prishtinë në takime ndaras Guvernatorin e shtetit të Iowa-s, Terry Branstad.

Presidentja dhe Guvernatori Branstad, nënshkruan një Marrëveshje të Partneritetit për Shtetet Simotra ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad, në një bisedë miqësore vlerësuan bashkëpunimin e madh që Kosova dhe shteti i Iowa-s kanë ndërmjet vete dhe nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, kulturës, bujqësisë dhe infrastrukturës. Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad thanë se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s janë vendosur që prej ndihmës që ky shtet i SHBA-së i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës, por gjithashtu theksuan nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera.

Presidentja Jahjaga tha se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s do të ndihmojë në shkëmbimin e vlerave dhe të përvojave dhe do t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit të Iowa-s mundësi më të mëdha.

Guvernatori i Iowa-s, zotëri Terry Branstad, tha se është veçanërisht i nderuar që shteti i Iowa-s ka mundësinë që të vendosë marrëdhënie partneriteti me Republikën e Kosovës. Ai tha se Kosova si shtet i ri ka bërë përparime të mëdha dhe vlerësoi se inkurajimi i investimeve të huaja në vend është i një rëndësie të veçantë po aq sa edhe ndihma për afaristët e vendit.

Vizita e guvernatorit të Iowa-s në Kosovë është bërë me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, pas qëndrimit të saj vitin e kaluar në këtë shtet në SHBA.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad pas takimit të përbashkët dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit mbajtën edhe një konferencë me gazetarë.

Temë kryesore e takimit të kryeministrit Thaçi dhe Guvernatorit të Iowa-s ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

Thaçi shprehu kënaqësinë që po takohet sërish me Guvernatorin e shtetit të Iowa-s, Terry Branstad, me të cilin është takuar edhe gjatë vizitës që kryeministri zhvilloi kohë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, kryeministri Thaçi edhe njëherë e falënderoi z.Branstad për mikpritjen institucionale, që i është bërë delegacionit të Republikës së Kosovës gjatë vizitës në shtetin e Iowa-s.

Kosova është vend me fat që ka një shtet mik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha mes tjerash kryeministri Thaçi, duke vlerësuar lartë kontributin e shtetit të Iowa-s për Kosovën, veçanërisht duke mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Partneriteti mes Kosovës dhe shtetit e Iowa-s, është dhe do të vazhdojë të jetë shembull i mirë i marrëdhënieve të qëndrueshme që ka ndërtuar Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi falënderoi z.Branstad për nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit për binjakëzimin e shtetit të Iowa-s dhe Kosovës.

Ky hap do të hapë rrugën që përveç partneritetit shtetëror ndërmjet Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, të thellojmë bashkëpunimin edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë, sikur ai i arsimit, bujqësisë, tregtisë, zhvillimit ekonomik – potencoi kryeministri Thaçi.

Gjatë takimit të sotëm, Kryeministri Thaçi e njoftoi guvernatorin Branstad për të arriturat e shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e gjashtë të shtetësisë së saj me institucione të konsoliduara demokratike, me reformat e gjithanshme që janë bërë dhe po bëhen në politikë, ekonomi dhe legjislacion, si dhe me përkushtimin e plotë institucional dhe politik për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, theksoi Kryeministri Thaçi.

Përmes refomave që janë ndërmarrë dhe që po vazhdojnë të ndërmirren, Kosova ka shënuar progres të theksuar edhe në ekonomi, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për investime ndërkombëtare – tha Kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi ritheksoi ftesën e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjitha kompanitë amerikane, veçanërisht ato nga shteti i Iowa-s që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Këto investime do të jenë të garantuara nga shteti i Kosovës – tha kryeministri Thaçi në takimin e sotëm me Guvernatorin e Iowa-s, Terry Branstad.

Nga ana e tij, Guvernatori i shtetit të Iowa-s, Terry Branstad e siguroi kryeministrin Thaçi se shteti i Iowa-s do të vazhdojnë të mbështesë shtetin dhe popullin të Kosovës edhe në të ardhmen.

Gurvernatori Branstad gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të shtetit të Iowa-s për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.

Në takim, Kryeministri Hashim Thaçi ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, Akan Ismaili.