Lajme Shqip Sunday, 06 January 2013 15:15

Prishtinë – Prokuroria ka mbyllur ciklin e marrjes në pyetje të të dyshuarve për kërkim parash nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi. I fundit, që në cilësinë e të dyshuarit për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit dhe ushtrim të ndikimit është marrë në pyetje deputeti Ukë Rugova nga hetues të Policisë së Kosovës.

Provat e mbledhura deri tash konsiderohen të shumta për ngritje të aktakuzës.

Burime nga procesi hetimor kanë thënë se si të dyshuar janë intervistuar zëvendësministri Astrit Haraqija, deputeti Ukë Rugova, Naser Osmani, biznesmeni Gazmend Abrashi dhe e veja e Dino Asanajt, Adelina Reçica. Ky burim ka thënë se Prokuroria është në fazën e analizimit të dëshmive dhe provave të mbledhura deri tash.

“Ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë. Për disa më shumë e për disa më pak. Rugova, Haraqija dhe Osmani dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit, ndërsa Gazmend Abrashi dhe Adelina Reçica për ushtrim të ndikimit”, ka thënë ky burim.(Koha Ditore/LajmeShqip.com)