Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 14:34

Z.Bollino, përse tani ky libër? Është vonë?

 

Bollino: Mund të jetë pak. “Instant book”, siç e quani ju këtë lloj libri, ndoshta duhej bërë pak më shpejt. Epo dy muaj, tre muaj. Disa më kanë pyetur, përse e ke bërë kaq shpejt. Ky nuk është një libër me analiza, është i mbushur me informacione. Sipas standardit europian, ky lloj libri duhej bërë brenda dy muajve, ne e vonuam për disa arsye….

 

Pra informacioni i marrë dhe i sjellë në libër është qëmtuar me kujdes?

 

Bollino: Padyshim, ndaj ka kërkuar pak më shumë kohë. Zakonisht “instant book”, kanë edhe përmbledhje të shkrimeve të botuara në media dhe aty është një pjesë, siç janë intervista, apo deklarata. Pjesa që nuk ka emrin e burimit, janë intervista që kam marrë unë, me disa burime, rreth 35 zyrtarë të përfshirë në bisedime. Disa ishin gati të flisnin edhe me emër, disa jo, ndërsa disa nuk pranuan që të flisnin.

E cenon besueshmërinë, mungesa e emrave të zyrtarëve që kanë bërë rrëfimet?

Bollino: Për mendimin tim jo. Për një arsye kryesore. Autorësia e një libri është autenticiteti, pra unë jam garant si autor dhe unë e kam vendosur, me një arsye, që të mos ia vendos emrin, i kam verifikuar, disa që nuk i verifikova, nuk i kam botuar, sepse nuk kam qenë i bindur në vërtetësinë e tyre dhe kam patur mundësinë për t’i verifikuar.

 

Këta persona që kanë rrëfyer për ju, sa dijeni kanë patur për bisedimet që po bëheshin mes Shqipërisë dhe SHBA-ve për armët kimike të Sirisë?

 

Bollino: Ata kanë qenë deri në nivelin më të lartë.

Dëgjova ambasadorin e SHBA-ve, Arvizu, te emisioni “Opinion”, të enjten e shkuar, dhe ai tha se rrethi i personave që kishte dijeni ishte shumë i ngushtë, kryeministri, disa këshillarë, dy ministra, zyrtarë të qeverisë amerikane. Nga vijnë burimet tuaja?

Bollino: Derisa kam vendosur që në libër ata të jenë pa emër, të tillë do të mbeten edhe në këtë intervistë. Por ju them se kanë qenë shumë afër dhe këtë mund ta gjykoni edhe vetë nga saktësia e detajeve që kam nxjerrë në libër.

 

Çfarë detajesh të reja sjell libri, përtej deklaratave të shtypit?

 

Bollino: Unë do ja lë lexuesit dhe gazetarëve që do të lexojnë librin. Mendoj se kam rindërtuar të gjithë historinë e armëve kimike, duke filluar që nga dita e parë, 27 shtatori dhe gjithë zhvillimet që ka patur, negociatat me amerikanët dhe unë mendoj se elementi kryesor është titulli “Heshtja e dyfishtë”.

 

Po pse jo heshtja e trefishtë?

 

Bollino: Po sepse mendoj se janë dy palë që kanë heshtur me shumë se të gjithë, përveç kryeministrit që u akuzua publikisht pse nuk foli. Negociatat u bënë nga dy palë, pala shqiptare që kishte bërë disa kërkesa dhe pala amerikane që duhej të jepte disa përgjigje që nuk erdhën kurrë. Dhe ky është elementi që nuk ka dalë në skenë. Pastaj është edhe heshtja e opozitës në Shqipëri.

 

Po pyesja për palët e përfshira në bisedime. Përse jo heshtje e trefishtë, duke patur parasysh që edhe zyrtarët rusë ishin në dijeni të bisedimeve?

 

Bollino: Ky është një element që unë e përgënjeshtroj në libër. Nga informacioni që kam unë, përveç një bisede jozyrtare, pala ruse nuk ishte e përfshirë në negociata, por ndoshta ka qenë në dijeni, sepse mund ta ketë informuar diplomacia amerikane. Por në negociata me Shqipërinë, nuk ka qenë e pranishme asnjëherë.

 

Po përse duhej një takim mes kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, në Nju Jork?

 

Bollino: Kjo është interesante. Unë e kam zbardhur këtë takim dhe në fakt delegacioni shqiptar kishte bindjen se takimi që u bë një ditë pas propozimit amerikan, ishte pikërisht për armët kimike. Por, sipas informacioneve që kam unë, nga disa burime, çështja e armëve kimike nuk u përmend fare nga Rama dhe Lavrov.

 

Po për çfarë tjetër mund të bisedonte kryeministri i Shqipërisë me ministrin e jashtëm rus?

 

Bollino: Ata kanë biseduar për çështje të tjera, marrëdhëniet bilaterale, biznesin rus në Shqipëri dhe delegacioni shqiptar ishte i habitur se si ka mundësi që Lavrov nuk e preku fare këtë temë.

 

Pak e vështirë për t’u besuar, sepse ne kemi investime pothuajse zero të Rusisë në Shqipëri. Për çfarë mund të bisedonin?

 

Bollino: Po ka delegacione ruse që vijnë këtu për të diskutuar, për naftën dhe interesa të tjera tregtare.

 

Kur kanë kaluar gati katër muaj, mendoni se ishte vendim i mirë, apo i keq për të refuzuar armët kimike të Sirisë në Shqipëri?

 

Bollino: Mendoj se Edi Rama, si kryeministër, bëri mirë që tha “Jo”. Nëse duhet ta shohim nga pikëpamja ambientale, pra rrezikut real që mund të kishte Shqipëria unë mendoj se ka bërë gabim.

 

Përse?

 

Bollino: Sepse nuk e kam menduar asnjëherë se një operacion i tillë mund të ishte aq i rrezikshëm, siç u paraqit emocionalisht në media dhe në opinionin publik, i cili nuk ka faj fare në këtë mes. Faj ka qeveria që nuk komunikoi. Unë po shpjegoj atëherë përse nuk komunikoi qeveria. Qeveria kishte për detyrë ta informonte opinionin publik, siç ishim të informuar ne gazetarët dhe ndoshta atëherë qëndrimi do të ishte ndryshe. Pra Rama bëri mirë që e refuzoi, sepse nuk mori asnjë garanci për zbatimin e kërkesave që paraqiti dhe kjo them se ishte një mungesë respekti, në aspektin diplomatik, por nga ana tjetër, rreziku nuk ishte kaq i madh sa ç’e bëri opinioni publik. Imagjino që tani, një pjesë e këtyre përbërësve kimikë, se as armë nuk janë, po zbarkojnë në Itali, në Gioia Tauro, që është rreth 2 km nga qyteti, një zonë shumë e përfolur për ndikimin e krimit të organizuar dhe në Itali, ku ka një kulturë të vjetër ambientaliste dhe biku e kuptojnë se ky është një operacion që nuk rrezikon as portin, as njerëzit.

 

Në rastin e Shqipërisë, ku do të vinin armët kimike?

 

Bollino: Zona ku do të vendoseshin ishte planifikuar Bisht-Palla dhe amerikanët ishin të interesuar për të gjetur një vend, që ishte 15 kilometra larg zonave të banuara dhe Bisht-Palla është e tillë, madje më shumë. Fillimisht ishte menduar për ishullin e Sazanit, por ai është fiks 15 kilometra në vijë ajrore nga Vlora dhe doli që ishte shumë afër. Këto muaj treguan se largimi i armëve nga Siria nuk ishte dhe aq i thjeshtë. Po, por këtë nuk e merrte përsipër pala shqiptare.

 

Por kishim një kalendar të qartë të hartuar nga OPCW, nga fundi i dhjetorit deri në qershor, kur do të bëhej eliminimi. Ku jemi tani?

 

Bollino: E kam thënë edhe në libër se ky afat kaq i ngushtë nuk ishte real dhe është e vështirë që të zbatohet. Në fund të fundit, për SHBA-të dhe Rusinë, ishte e rëndësishme çarmatosja e Asadit, pavarësisht nga koha.

 

Në konkluzionin tuaj, ne humbëm apo fituam si vend?

 

Bollino: Për mua kemi humbur një shans për të trajtuar më mirë çështjet, dhe kjo është një humbje, sepse Shqipëria ka nevojë për të treguar besueshmëri dhe forcë, edhe në nivelin ndërkombëtar.

 

Duke qenë ushtar i bindur?

 

Bollino: Jo, jo. Rama nuk ishte ushtar i bindur. Negociatat treguan se ai kërkoi deri në fund që të marrë një marrëveshje të shkruar me amerikanët, mbështetje të nivelit më të lartë dhe nuk mori asgjë.

 

Cilat mund të ishin pikat kryesore të marrëveshjes?

 

Bollino: Ombrella politike për Shqipërinë, duke përfshirë edhe mbështetjen në Bruksel për statusin, kushte më favorizuese për ndihmën nga FMN-ja dhe Banka Botërore, pastrimin e territorit nga lëndët kimike dhe se çfarë lloj lëndësh kimike do të vinin në Shqipëri, kushtet për asgjësimin e tyre, transferimin jashtë të mbeturinave që do të mbeteshin pas asgjësimit. Amerikanët e premtuan gojarisht, por Rama e kërkoi me shkrim, që të shkonte para opinionit publik dhe Kuvendi, me këtë pakt të shkruar dhe pastaj të bëheshin bisedimet. Ky dokument mungoi deri ditën e fundit dhe Rama vendosi ta refuzojë.

 

Ambasadori Arvizu nuk e tregoi përmbajtjen e letrës së z.Obama për qeverinë shqiptare. Dokumenti që keni ju, e qartëson deri në fund se çfarë ofronte SHBA?

 

Bollino: Në letrën e presidentit Obama nuk ka asnjë premtim. Ka një përshëndetje, një vlerësim për gadishmërinë që tregoi qeveria shqiptare, një ide të përbashkët për një vend të pastër, një vlerësim për mundësinë e çlirimit të popullit sirian, një mundësi për tu takuar vitin tjetër me zotin Rama, pra 15 rreshta.

 

Mendoni se ka patur qejfmbetje nga pala amerikane pas refuzimit të Shqipërisë?

 

Bollino: Unë mendoj se jo. Pala amerikane e di shumë mirë, se mungesa e një marrëveshjeje të shkruar ndikoi te përgjigja. As qeveria dhe as amerikanët ndoshta nuk e kishin parashikuar një reagim kaq të ashpër nga shoqëria civile. Amerikanët e morën vesh që Rama nuk kishte mundësi për të pranuar, prandaj nuk ka qejfmbetje. Rama e kishte vendosur për “Jo”-në që më 13 nëntor Ambasadori në SHBA mund të ketë informuar presidentin që në 27 shtator dhe më pas edhe ish-kryeministrin

 

Cili ishte roli i opozitës, apo dhe i zotit Basha në këtë histori?

 

Bollino: Unë kam një element, një informacion, sipas të cilit, edhe kryeministri, edhe presidenti i Republikës, ndoshta që nga shtatori, ishin në dijeni të bisedimeve. Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Gilbert Galanxhi, sigurisht që ka qenë i informuar, që nga 27 shtatori. Ambasadori është informuar nga pala amerikane dhe ai ka pyetur ministrin e jashtëm Bushati se çfarë përgjigje tu japim amerikanëve. Galanxhi ishte pjesë e delegacionit të presidentit Nishani, që ndodhej në Nju Jork atë ditë. Është logjike që ambasadori të ketë informuar presidentin e republikës, sepse ishin bashkë tre ditë, edhe pse informacioni nuk ishte “top secret”. Nga ana tjetër z.Galanxhi ka marrëdhënie shumë të ngushta me ish-kryeministrin Sali Berisha. Pra ka mundësi që ai të mos e këtë informuar Berishën për debatin që nisi para daljes në media të lajmit në fund të tetorit? Unë nuk kam prova që Nishani dhe Berisha ka qenë të informuar nga z.Galanxhi, por unë po sjell një element logjik.

 

Ishte një lloj pabesie e opozitës ndaj qeverisë?

 

Bollino: Unë e kam gjetur deklaratën e z.Basha ku ai nuk ishte kundër armëve kimike, ai ishte kundër mungesës së transparencës dhe PD donte që të merrte pjesë në biku sedimet me amerikanët. Ishte pra, një qëndrim politik, për të thënë se ne do tua bëjmë këtë nder amerikanëve, jo qeveria. Deri në 12 nëntor, kur për herë të parë doli i ndjeri Sokol Olldashi me një postim në FB: “Ne jemi kundër armëve kimike”. Deri atëherë, PD kishte qëndrim krej ndryshe. Pas datës 13 nëntor, 24 orë pas qëndrimit të Olldashit, edhe PD mori përsipër kundërshtimin për armët kimike, në 14 u bënë kritikat e ashpra të Berishës në Kuvend. Pra Basha nga 27 shtatori deri në 12 nëntor nuk u shpreh kundër armëve kimike dhe kjo është e dokumentuar. U takua edhe me z.Fyle në 11 nëntor dhe nuk e përmendi fare.

Bollino: Dhe deshën ta shfrytëzonin situatën, duke u ulur këmbëkryq në shesh para kryeministrisë?

Bollino: Data 14 nëntor ka qenë shumë e bukur. Nga informatat që kam unë, Rama e kishte vendosur për “Jo” që në 13 nëntor, në darkë, që Shqipëria të mos përfshihej. Në mëngjesin e 14 nëntorit njoftoi edhe disa ministra që do ta refuzonte. Aty u fut në lojë edhe një televizion afër Berishës, që nxorri lajmin se Rama do ta refuzonte dhe Berisha shkoi aty për të kremtuar fitoren, por turma e dëboi. Idea për të rrëzuar qeverinë ishte e 24 orëve të fundit, sepse deri në 13 nëntor, donte të ulej në tryezë me amerikanët se si do të trajtonte armët kimike. /Shekulli