Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 14:41

Disa orë në zyrën e Presidentit Bamir Topi, konflikti i tij me kryeministrin dhe e nesërmja politike. Presidenti thotë se do të përfundojë mandatin e tij dhe se “është ende i ri dhe i fortë mendërisht dhe fizikisht”. E nesërmja e tij në të djathtën e politikës dhe armët e reja që po përgatiten: sërish luftë për dekomunistizimin e vendit, por cilët janë komunistët? Për Topin ka një emër, Sali Berisha

Nga Lorenc Vangjeli, Revista JAVA

“Nuk do të largohem nga Presidenca. Do të mbyll mandatin në respekt të Kushtetutës. Më pas, të gjitha versionet janë të mundshme”. Bamir Topi është i qetë. Të paktën këtë ndjesi reflekton në zyrën e tij të heshtur të presidencës. Opinionet se ai duhet të ndërpresë me dorëheqje mandatin e tij presidencial, i refuzon si një mundësi që nuk do të përdoret. “Më është dashur, që për hir të interesave shumë më të mëdha se interesi im vetjak, të bëj zgjidhje të cilat kanë kërkuar sakrificë. Eshtë herët të flas të vërtetën time edhe për këtë pikë, por mund t’ju them se në këto pesë vjet, të paktën disa herë, ekuilibrat e këtij vendi kanë qenë në buzë të thërmimit”, thotë Topi, edhe pse di që një nga batutat e tij televizive: “Unë flas edhe me heshtje”, është interpretuar shumë shpesh në mënyrë mjaft cinike.  Presidenti Topi, ndoshta si kurrë më parë, e përdori gjithashtu heshtjen dhe nënkuptimin si deklarata të forta politike të mërkurën paradite në një bashkëbisedim të gjatë për revistën JAVA. Në të gjitha rrathanat, edhe në rastin e pamundur të tërheqjes së tij nga politika, siç do t’i uronin dhe kërkonin kundërshtarët e tij politikë, Bamir Topi i ka të gjitha shanset të dëshmojë se pesë vitet në Presidencë i kanë shërbyer edhe për të marrë shumë informacion. Nëse ai do të refuzonte përfundimisht heshtjen dhe do të fliste hapur, me të gjitha gjasat, tërmeti në domenin Berisha të së djathtës do të kishte efektin dhe pasojat e tërmetit.

Një ditë më parë, të martën, përtej profilit të tij të zakontë dhe të përmbajtur, Presidenti Topi kishte artikuluar akuzat më të rënda ndaj kryeministrit Berisha, duke i dërguar predha të vërteta politike, pikërisht në vitrinën vetjake të kryeministrit, tek antikomunizmi i tij. “…ka diçka tjetër që ka të bëjë me moralin. Ju e dini që njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës…”.

Lufta herë e heshtur dhe herë e zhurmshme, por kryesisht e nisur nga zyra në mes të Bulevardit në drejtim të fundit të tij, tashmë ngjan pa mundësi paqeje. Një bashkëpunim politik shumëvjeçar, i krisur që në prillin e largët 2008 të ndryshimeve kushtetuese, tashmë ka hyrë në rrugën e rivalitetit, i cili, për momentin, vetëm mund të hamendësohet sesi do të shkojë më tej. E vetmja gjë që mund të thuhet për momentin, është që në dy dekada pluralizëm politik në Shqipëri, çifti President-Kryeministër, ka pasur si rregull mungesën e paqes dhe bashkëpunimit. Mes krerëve të shtetit ka pasur vetëm luftë, herë të hapur e herë të fshehtë. Kështu ka ndodhur në gjysmën e parë të viteve 90’, mes Berishës dhe Meksit, e më pas, edhe mes Berishës dhe Finos, mes Nanos dhe Meidanit, Majkos dhe Meidanit, Nanos dhe Moisiut dhe Berishës dhe Moisiut. Përjashtimi i vetëm kanë qenë marrëdhëniet mes Metës dhe Meidanit, por dhe ato, më shumë të ndikuara nga natyrat vetjake të protagonistëve të asaj kohe. Por ajo që ka kaluar çdo cak, ka qenë përplasja në dinamikë rritëse e konfliktit Berisha-Topi.

 

Stacionet e sherrit,

Vetë Presidenti Topi e pranon se ngrica në marrëdhëniet me kryeministrin dhe kryetarin e ish-partisë së tij, ka nisur me diskutimin dhe më pas me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. “Atëherë kur Shqipëria u shndërrua pothuaj nga Republikë Parlamentare në një Republikë Dy Partiake”, thotë Presidenti dhe nuk shtyhet më tej. Por është tërësisht e e qartë çfarë do të thotë më shumë se kaq. Ndryshimet e Kushtetutës që u bënë me votat e bashkuara të së djathtës dhe të majtës, për Presidentin e Republikës, si dje, ashtu dhe sot, janë pothuaj e njëjta gjë, me përjashtimin e vetëm se tashmë, publikisht ose në heshtje, i kanë dhënë të drejtë për kontestimet e tij të djeshme. “Duhet ta verifikoj datën, por atëherë, në harkun e tre ditëve kam pasur dy intervista, me VOA-në dhe Top Channel”, thotë Presidenti, i cili kujton se për Zërin e Amerikës ishte shprehur se ishte në parimet e tij dhe në detyrimin që i jepte posti që të “…mos ndërhynte në çështje të debatit politik. “Në rast se do të shkëputesha nga ky pozicion, qoftë në një pozicion politik, qoftë në një pozicion civil të paangazhuar, sigurisht do të kisha shumë për të thënë edhe për këtë situatë”, ishte shprehur në atë intervistë zoti Topi. Por vetëm tre ditë më pas, përpara Sokol Ballës do të ishte shumë më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë duke ju referuar ndryshimeve kushtetuese: “… (ato) tregojnë patjetër një mungesë serioziteti, duket sikur jemi pikërisht në caqet e një politike amatoreske, që frymëzohet nga emocionet e çastit dhe kuptohet kjo e bën klimën më të rënduar dhe aq më shumë pastaj, kur disa tendenca për të dominuar pushtete të stabilizuara, tregojnë që këto mentalitete nuk mund të jenë kurrë mentalitete perëndimore, por tregojnë një lloj rrëshqitjeje në mentalitetet e vjetra ballkanike, të cilat ne dita-ditës po mundohemi t’i shmangim në frymën e integrimit euroatlantik”. Deklarimet janë të datave 11 dhe 15 prill 2008, ndryshimet në Kushtetutë u bënë vetëm dy javë më pas.

Katër vjet më mbrapa, Bamir Topi është sërish i bindur se: “As atëherë, as tani nuk do të ndryshoj asgjë në thelbin e atyre deklarimeve. Nëse kam apo jo të drejtë, besoj se sot kjo është një dilemë e zgjidhur”. Dhe pikërisht, këtë qëndrim të tijin dy njerëzit e fuqishëm të politikës në Shqipëri, Berisha e Rama, e kanë përthyer në mënyra të ndryshme. I pari nuk ja fali kurrë. I dyti, me vonesë, por i dha të drejtë.

 

Ekuilibrat në PD

Tashmë pakkush e mban mend se në mandatin e parë qeverisës, ekuilibrat brenda për brenda PD-së kanë qenë tërësisht të ndryshëm nga sot. Në arkivat e telelevizioneve, ndodhet një skenë e paharrueshme në një nga debatet më të nxehta të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit Topalli refuzoi disa herë t’i jepte fjalën ish-kreut të grupit të PS-së, Majko dhe me një shenjë force, përsërit disa herë se “fjalën e ka kreu i grupit të PD-së Bamir Topi”. Por Topi refuzon. “Të flasë PS në fillim”, tha ai. Dhe ai moment, nuk ishte fillimi, por thjesht vijimi i një konflikti të hapur e të dukshëm mes tij dhe zonjës Topalli. Sepse të dy përfaqësojnë dy identitete tërësisht të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, në dy votëbesime të njëpasnjëshme në mocion kundër Topalli, fitoi edhe në sajë të votave të mbështetësve të Topit. Ndërsa me kundërshtarin tjetër të tij, sot kryebashkiakun Basha, të dy kanë artikuluar një armiqësi në distancë, të dukshme, por jo publike, së paku. Dhe për më shumë, të gjithë ish-kolegët e tij në PD, në qeveri apo jo, që nga divorci i tij me Berishën, nuk kanë lënë rast pa i goditur derën dhe atë vetë me gurë.

Në mbrëmjen e 20 korrikut 2007, në raundin e katërt të votimit në Kuvend, pa praninë e opozitës, Berisha dhe Topi u përqafuan të parët në momentin që Shqipëria kishte Presidentin e ri të Republikës. Asnjëri nga të dy nuk ishte shenjtor në atë moment, por e sigurt ishte që mes tyre pati një puthje prej Jude. Në një kuptim, secili kishte shpëtuar nga tjetri duke u distancuar me llojin e ndryshëm të pushtetit që përfaqësonin. Në teori, ishin votat e Berishës ato që e bënë Topin President, por zakonisht harrohet të thuhet se votat e Topit atëherë, e çonin automatikisht vendin në zgjedhje të parakohshme. Ishin të paktën 20 deputetë të cilët, po në verën e vitit 2007, bënë një demonstrim force në Vlorë në favor të Topit. Oketa, Leskaj, Kollozi, Dajçi, Doshi, Gjergji, Shehu, Spaho, Xhindole, Hoxha, Ndoka, Ramadhi, Cara, Sula, Uka, Karapici, Metalla, Biberaj dhe Gjini, ishin deputetët e djathtë që kishin detyruar Berishën të puthte atë çfarë nuk e kafshonte dot. Dy vjet më pas, vetëm Oketa, Kollozi, Sula e Spaho u rikonfirmuan si deputetë, Doshi ishte sërish deputet, por i opozitës, kurse gjithë të tjerët ose e panë veten jashtë listës, ose ishin në katet e poshtme të saj. Në 2008, Topi e përdori për herë të fundit influencën e tij në grupin e PD-së, kur ndikoi në emërimin e Oketës në postin e ministrit të mbrojtjes. Në 2009-ën, krehja e gjithë njerëzve të tij në majë të PD-së kishte përfunduar; ishin qethur të gjithë! Në këtë grup parlamentar, Topi “përfaqësohet” vetëm nga Oketa, por mendohet dhe për dy deri në tre emra të tjerë që mund ta pasojnë duke rrënuar përfundimisht ekuilibrat e brishtë të maxhorancës.

 

E nesërmja

Targetit të preferuar të sulmeve, me të gjitha nuancat e egra të gjuhës politike në Shqipëri, Edi Ramës, kryesisht që nga e Premtja e Zezë e 21 Janarit 2011, ju shtua edhe Presidenti i Republikës. Kryeministri Berisha e rreshtoi edhe Presidentin në grupin e njërëzve që sipas tij kishin organizuar puçin dhe krijoi një komision hetimor që synonte, veç të tjerash edhe depersonalizimin dhe defaktorizimin e Presidentit. Efektet ishin tërësisht të ndryshëm nga ata që ishin parashikuar, Presidenti u personalizua më shumë si një individ brenda të djathtës që mund të konkurronte dhe vetë Berishën dhe mbi të gjitha, u faktorizua si një element i domosdoshëm për të tejkaluar krizat ciklike që destabilizonin vendin. Dy alternativat e diskutuara atëherë, dorëheqje e menjëhershme e Presidentit apo një forcë e re politike mbas një mandati të dytë të munguar presidencial, përjashtuan njëra-tjetrën. “Në shumë vendime të miat, dje dhe sot, kam pasur parasysh peshën e kësaj zyre. Edhe në rastet kur si individ politik apo si qytetar, ndjeja se mund të veproja ndryshe. Jam keqkuptuar në shumë raste kur kam dashur të bëj diferencën mes institucionit që përfaqësoj dhe individit që jam, por sërish jam i bindur se kam vepruar drejt duke u konsultuar dhe duke ju përgjigjur vetëm Kushtetutës dhe caqeve që ajo i vë Presidentit të Republikës”, thotë Topi.

Sot, partia e re e të djathtës që pritet të lindë dhe që thirret me emrin e tij, “Partia e Topit”, është pothuaj një realitet. Në pranverë ajo pritet t’i shtohet spektrit politik në vend. Gjykuar nga deri më tani, targeti i votuesit të saj do të përfshijë që nga të pakënaqurit nga qeverisja e PD-së, figura të djeshme autoritare të saj, tek ish-pronarët, ish-të përndjekurit dhe të pavendosurit që nuk pranojnë as PD-në dhe as PS-në. Një koalicion i mundshëm me Aleancën KuqeZi, konsiderohet një realitet i pritshëm. Një “survejim” i elektoratit shqiptar, pretendon se për çdo votë që mund të rrjedhë nga e majta për këtë koalicion, e djathta do të humbasë deri në tre vota.

Vetë Presidenti refuzon të flasë për një nismë të tillë, por përkrahësit e tij Oketa, Mustafaj, Biberaj, Shehu e të tjerë, kanë lënë hapur shumë detaje që krijojnë identikitin e partisë së re. Karta e hershme e antikomunizmit që përdor kryeministri, ngjan se do të ketë përgënjeshtrimin më të fortë jo nga PS, por nga partia e Topit.

 

Dosjet e komunizmit

“…njeriu që akuzon, (Berisha) duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës…”, tha Presidenti të martën. Dhe nuk qëndroi vetëm këtu, por u shty dhe shumë më thellë: “…ky personazh që nga vitit 1968 është anëtar i Partisë së Punës, Sekretar Partie, dhe njëzet e dy vite të tjera bën përralla me komunizmin…! Unë jam… për hapjen e dosjeve, dhe të jeni të sigurtë se me hapjen e dosjeve shqiptarët do të shohin çudira edhe tek ata që merren me politikë”! Dhe vetëm një ditë më pas, Sali Shehu, ish-deputet i PD-së dhe përkrahës i partisë së zotit Topi, e vë gishtin në të njëjtën plagë që therr dhe që me të gjitha gjasat do të kullojë shumë më tepër edhe më pas: “Kryeministri nuk ka qenë asnjëherë i motivuar për të hapur dosjet, pasi po të kishte ndodhur një gjë e tillë, ai do të kishte ngelur pa gjysmën e drejtuesve të PD-së në krah të tij dhe këtë e di ai vetë…”. 20 vjet pas shëmbjes së komunizmit, fantazmat e komunizmit janë ende gjallë dhe në këto dëshmi të reja, del se ato kanë populluar deri dhe njerëzit pranë kryeministrit, pa kursyer as atë vetë.

Vetë Presidenti Topi bëhet shumë serioz kur flitet për ligjin e lustracionit. Eshtë akuzuar se ka hedhur poshtë një ligj, të cilin vetë e ka paraqitur kur ka qenë kryetar i grupit të PD-së. Replika nuk vonon: “Harrojnë të thonë se kundër atij ligji votoi në unanimitet Gjykata Kushtetuese dhe pati kundër gjithë faktorin ndërkombëtar. Në 2006, me firmën time dhe të Majkos kam paraqitur një projektligj për lustracionin, por ai kurrë nuk kaloi në Kuvend. Arsyet janë ato që dihen, tek konflikti vetjak që ka Berisha me të shkuarën e tij”. “Ku jemi ne sot?  Rreth 5 vjet më parë dërguam në Presidencë një përfaqësues, duke besuar se i përkiste të djathtës shqiptare. Por ai refuzon të firmosë ligjin për Lustracionin komunist, s’firmos ligjin për të zbardhur të vërtetat për atë institucion që ishte hanxhari që u përdor për të ekzekutuar këta burra dhe pesë mijë të tjerë”, replikon në distancë Berisha. Për të marrë sërish një kundërreplikë nga zyra e Presidentit: “Jam ende shumë i ri dhe në formë shumë të mirë edhe mendore, edhe fizike. Edhe këtë pranverë do të rrjedhin shumë ujra”, thotë zoti Topi, i cili e di që në verë do të largohet nga zyra e tij në Presidencë për të turbulluar që të kullon shumë ujra në të djathtën e “çuditshme” të politikës shqiptare. Në zyrën e tij është qetësi. Një lloj qetësie që parasheh furtunë.