Lajme Shqip Thursday, 10 October 2013 16:39

HARDtalk është një nga emisionet politike më me ndikim në Angli, por edhe në Evropë. Ai transmetohet tash e sa vjet në BBC dhe në studiot e këtij emisioni kanë kaluar liderët më të fuqishëm botëror. Së fundi aty ishte edhe kryeministri Edi Rama që foli për Shqipërinë në vizionin e tij.

Për shumë vite asnjë lider politik nga Kosova nuk ishte aty. Por ishte një grua, ish- ministre dhe zv.kryeministre deri para disa ditësh. Mimoza Kusari-Lila ka qenë në HARDtalk në muajin prill të këtij viti.

Të intervistohesh në këtë emision konsiderohet mburrje për secilin politikan, sidomos për ata të vendeve të vogla, siç është Kosova. Këtë e bëri edhe kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila. Ajo sot në faqen e saj në Facebook, e postoi linkun e kësaj interviste, duke e shoqëruar me një mesazh ku thoshte se “Në intervistë të mirëfilltë, përgjigje të mirëfillta. Komuna e Gjakovës mundet më mirë dhe meriton më shumë”.

Por këtu mund të ngritet dyshimi, se si erdhi Kusari – Lila të bëhet mysafire e këtij emisioni të famshëm. Jo për ndonjë fakt tjetër, por duke e lidhur këtë me një kontratë të fundit që Ministria e saj ka nënshkruar me televizionin BBC.

Kusari-Lila, ndër vendimet e fundit që i ka marrë para se të braktiste Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka qenë ai për një kontratë me televizionet CNN dhe BBC, e cila buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojë hiq më pak se 700 mijë euro. CNN do t’i jepen 400 mijë euro, ndërsa BBC-së 300 mijë euro, për transmetimin e dy reklamave të cilat promovojnë Kosovën dhe ekonominë e saj, në kohëzgjatje, secila nga 30 sekonda.

Burime të reporteri.net, kishin bërë të ditur se në ditët e fundit në këtë ministri, ministrja Kusari-Lila, kishte kërkuar me ngulm nga stafi i saj që kjo kontratë të nënshkruhej sa më shpejtë, para se ajo të braktiste qeverinë e Kosovës, për t’iu përkushtuar fushatës për kryetare të Gjakovës.

Këtu tani mund të ngritet dyshimi dhe të bëhet pyetje, nëse Kusari-Lila, po këmbngulte t’i paguante BBC-së për intervistën e famshme që i kishin bërë. Dyshime për forma të tilla të “mburrjes” nëpër media të famshme botërore, duke i paguar ato në forma të projekteve me kompani lobuese dhe të tjera, janë ngritur shumë herë për liderët politik në Kosovë, e veçanërisht në Shqipëri.

Kjo është hera e tretë që Kosova ndanë shuma të mëdha parash për reklama nëpër mediume të fuqishme ndërkombëtare. E para ishte ajo me fushatën “Kosovo the Young Europeans”, e cila kushtoi hiq më pak se 6 milion euro, por që në fakt nuk solli ndonjë përfitim. Ndërsa kjo e fundit e lidhur mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe CNN’it dhe BBC’së ka kushtuar 700 mijë euro, transmeton reporteri.