Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 17:30

Tiranë – Interpol vlerëson përpjekjet e suksesshme të Policisë shqiptare në goditjen e trafikut të drogës. Ky vlerësim është shprehur në “Raportin e Vlerësimit të Rrezikut të Kriminalitetit në Europën Juglindore” (SEETAC).

“Rastet e sekuestrimit të heroinës, e cila tranzitohej nga Shqipëria drejt Italisë fqinje, kanë rënë, ashtu siç vihet re një rënie e vazhdueshme e numrit të sekuestrimeve gjatë viteve të fundit, si rezultat i goditjes së suksesshme të trafikimit që përdorte mjete lundruese nga Shqipëria në Itali. Goditja e një transporti të tillë nga ana shqiptare dhe italiane ka çuar në mënjanim në rritje të Shqipërisë si tranzit për dërgesa të mëdha heroine”, thuhet në raportin e Interpol.

Në këtë raport theksohet gjithashtu se Autoritetet shqiptare kanë rritur ndjeshëm nivelin e sekuestrimit të kanabisit, përsëri falë një përpjekjeje të vazhdueshme, të përqendruar, të autoriteteve për të goditur trafikuesit e kanabisit. Po ashtu theksohet se shifrat e sekuestrimeve në Itali, ashtu si edhe për heroinën, kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2003.

“Raporti i Vlerësimit të Rrezikut të Kriminalitetit në Evropën Juglindore” (SEETAC), i është bërë me dije Policisë së Shtetit nga Sekretari i Përgjithshëm i Interpol, Ronald K. Noble,  i cili përmes një shkrese zyrtare drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, thekson se “personalisht dëshiroja të dërgoja një kopje të këtij raporti të rëndësishëm, i cili tregon qartë se si së bashku mund të rritim përpjekjet tona për të luftuar krimin e organizuar si në rajon, ashtu dhe më gjerë. Falë mbështetjes suaj personale për projektin dhe punës së përditshme të oficerëve tuaj në shkëmbimin e informacionit mbi krimin e organizuar në rajon INTERPOL ishte në gjendje të prodhonte një vlerësim kuptimplotë e të rëndësishëm të rrezikut”.

Vlerësime të ngjashme në këtë raport janë bërë dhe për sa i përket goditjes së rasteve të kontrabandimit të njerëzve, ku theksohet fakti se shifrat kanë rënë ndjeshëm falë menaxhimit të integruar të kufijve, rritjes së punës për trajtimin e falsifikimit të dokumenteve në Shqipëri dhe liberalizimit së fundi të vizave me vendet e BE-së.

Po ashtu dhe për sa i përket falsifikimit të dokumenteve, ku theksohet se ashtu sikundër rastet e kontrabandimit të njerëzve, edhe rastet e falsifikimit të dokumenteve, kanë rënë vazhdimisht. Një arsye tjetër për këtë rënie është prodhimi së fundi i pasaportave biometrike, duke e bërë shumë më të vështirë falsifikimin e dokumenteve të identitetit.