Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 13:44

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama i bëri sot thirrje qeverisë të heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të projektit strategjik të linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

“Në emër të opozitës shqiptare i bëj thirrje kryeministrit ta heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të këtij projekti strategjik dhe të mos e damkosë me një tjetër damkë turpi qeverinë e këtij vendi dhe Shqipërinë, që ka interes për këtë projekt”, u shpreh Rama, në një komunikim me mediat.

Reagimi erdhi pas akuzave të kryeministrit Berisha për atë që ky i fundit e cilësoi klikë të mafias, lidhur me debatin që pasoi zbatueshmërinë e projektit në fjalë.

“Berisha foli për klikën e mafias duke akuzuar si zëdhënës të mafias KFW-në, gazetën “Zëri” dhe natyrisht edhe opozitën. Nuk di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicionit të tij. Kjo është çështje që i takon ta zgjidhin me njëri- tjetrin. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që të besojë se banka që përfaqëson shtetin gjerman të jetë mafioze dhe Saliu të jetë qelibari”, tha Rama, ndërsa shtoi se bllokimi i projektit është haptazi kundër interesit kombëtar dhe publik.

“Se sa të pastra janë duart e qeverisë së Saliut kjo duket nga qindra kilometra larg, por duke parë nga afër gjithë dokumentacionin e procesit të bllokuar të realizimit të linjës 400 kw me Kosovën, të vret syrin qëndrimi arbitrar i qeverisë shqiptare”, u shpreh Rama.  (LajmeShqip.com)