Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 14:18

Tiranë -Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) deri tani nuk ka konstatuar ndonjë problem madhor në OST. Kështu është shprehur sot në media Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit,  Bujar Leskaj, lidhur me çështjen e tenderit të linjës së interkonjeksionit Tiranë -Prishtinë, ku opozita ka lëshuar akuza për korrupsion kundër qeverisë.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias për çështjen, Leskaj tha se “në këto momente një ekip i Kontrollit të Lartë të Shtetit është në OST dhe në praktikat dhe standardet e saj, KLSH  prononcohet kur gjithë praktika evadohet, pra kur ne bëjmë raportin përfundimtar të kontrollit”. “KLSH në OST është në një kontroll të përvitshëm, në një kontroll normal pune. Këto janë kontrolle që një departament i posaçëm në KLSH  i organizon në krye të një ose dy vjet dhe në kohën e duhur do të kemi prononcimin zyrtar”, tha Leskaj, duke shtuar se deri më tani grupi i punës nuk ka konstatuar ndonjë problem madhor.

Leskaj, iu përgjigj interesit të medias edhe për marrëdhëniet e bashkepunimit mes KLSH dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, duke shprehur optimizmin e tij se këto marrëdhënie do të ecin në rrugën e duhur. 

Zoti Leskaj me cilësinë e kreut te KLSH nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të 6 organizatave jo fitimprurëse të angazhuara në luftën kundër korrupsionit, me lëvizjen “Alternativa Civile”, drejtuar nga Mentor Kikia, me ‘Qendren për Transparence dhe Informim te lirë’, drejtuar nga Sami Neza, me “Transparency International ne Shqiperi’, drejtuar nga Lutfi Dervishi, me ‘Institutin per Demokraci dhe Ndërmjetësim”, drejtuar nga Sotiraq Hroni dhe ‘Levizjen Evropiane në Shqiperi’, drejtuar nga Gledis Gjipali.

Marrëveshjet synojne kontribute dhe aktivitete të përbashkëta, pjesëmarrje reciproke ne workshope, konferenca etj për luftën kundër korrupsionit dhe  parandalimin e tij si dhe rritjen e transparencës publike. Marrëveshjet e bashkëpunimit të firmosura sot, parashikojne mundesine e shkrimit të projekteve të përbashkëta në këtë drejtim. (LajmeShqip.com)