Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 18:22

Prishtinë – Zv/kryeministrja Edita Tahiri ka pritur sot në një takim ambasadoren e Turqisë në Republikën e Kosovës, Songül Ozan, më të cilën ka biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, Tahiri në këtë takim çmoi lart angazhimin e Turqisë në përkrahje të axhendës euroatlantike të Kosovës dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën dhe integrimin e plotë në mekanizmat ndërkombëtare.

Nga ana e saj, ambasadorja Ozan tha se shteti turk vlerëson lart miqësinë me Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë një përkrahës i madh i zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe do të përkrah forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Të dy bashkëbisedueset konkluduan se intensifikimi i bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Turqisë kontribuon në forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve dhe po ashtu i kontribuojnë stabilitetit rajonal dhe perspektives euroatlantike të mbarë rajonit. (LajmeShqip.com)