Tiranë – Komisioni parlamentar i Integrimit, miratoi sot me konsensus planin e veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian.
Rishikimi i planit të veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë u kërkua nga Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu e cila ka theksuar se, deri në janar duhet të përfundojë edhe hartimi i draftit.
Duke folur në komisionin e integrimit ku ka raportuar në lidhje me zbatimin e 12 prioriteteve, ministrja Bregu ka theksuar se në grupin e punës që do të merret me draftin nuk do të shmanget as komisioni i integrimit dhe as ministria përkatëse, ndërsa shtoi se në këtë proces do të ketë përfaqësues nga të gjitha institucionet si dhe nga shoqëria civile.
Sipas saj, grupi i punës do të shohë si po ecën zbatimi i rekomandimeve, ndërkohë që do të ketë edhe ndarje të masave që do të zbatohen nga institucionet qeveritare.
“6 rekomandime nga 12 të vendosura janë përgjegjësi direkte e ministrisë që unë drejtoj. 5 nga prioritetet janë ligjet me 3/5 dhe kanë të bëjnë me situatën politike në vend”, u shpreh ministrja Bregu, ndërsa shtoi se duhet dakordësi politike në hartimin e planit të veprimit.
Punimet e komisionit të integrimit u ndoqën edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.