Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 09:48

Tiranë (PLOTESUAR 21 mars, 13:05)- Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi të mërkurën Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në KE, Stefano Sannino planin e veprimit të hartuar nga klasa politike shqiptare si dhe shoqëria civile, që adreson 12 rekomandimet e raportit të fundit të Komisionit Europin në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.

“Suksesi i zbatimit të Planit të Veprimit për rekomandimet e KE-së, në kuadër të procesit të integrimit në BE, do të jetë sukses i të gjitha palëve”, deklaroi Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino, gjatë fjalës së mbajtur para Komitetit Ndërministror për Integrimin.

Sannino vlerësoi deklaratën e kryeministrit Berisha për një proces gjithëpërfshirës, jo vetëm të forcave politike, por edhe të shoqërisë civile, ndërsa përgëzoi për dokumentin e Planit të Veprimit që iu dorëzua nga kreu i qeverisë shqiptare.

Një element i rëndësishëm i Plan Veprimit sipas Sanninos është dhe reforma zgjedhore, për të cilën zyrtari i KE-së kërkoi përfundimin sa më parë të saj.

“Puna e grupit për reformën zgjedhore të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur në javët në vijim, në mënyrë që të sigurohemi që zgjedhjet në Shqipëri vitin e ardhshëm, të bëhen në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai. Duke vlerësuar frymën konsensuale me të cilën po punojnë forcat politike zyrtari i KE-së u ndal dhe tek çështja e imunitetit, si një nga shtyllat kryesore të luftës kundër korrupsionit.

“Heqja e imuniteteve, si për deputetët dhe gjyqtarët, është tepër e rëndësishme dhe madje një nga shtyllat kryesore në luftën antikorrupsion. BE do të mirëpriste heqjen e imuniteteve sipas modaliteteve që do të bien dakord të gjitha forcat politike në vend”, u shpreh Sannino. Po ashtu, ai përmendi dhe përmbushjen e elementëve të tjerë të rëndësishëm në procesin e integrimit të drejtat e pronësisë, të drejtat e njeriut, sidomos të grupeve në nevojë.

Ndërkohë gjatë këtij takimi Berisha e vlerësoi planin e veprimit të adresimit të 12 prioriteteve të KE-së, si një plan të hartuar pas një pune shumë serioze të përbashkët të forcave politike shqiptare, shoqërisë civile por edhe përfaqësuesve të KE-së, të cilët theksoi ai, gjatë kësaj periudhe kanë patur në epiqendër të vëmendjes ndihmën për vendin tonë, për të çuar para reformat e nevojshme për procesin e integrimit. Kreu i qeverisë në vijim të fjalës së tij, siguroi përfaqësuesit e KE-së se për qeverinë shqiptare, procesi i integrimit europian mbetet procesi më themelor.    

 ************************

Tiranë- Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino vjen të mërkurën në Tiranë për të biseduar me autoritetet shqiptare lidhur me ecurinë e Planit të Veprimit në përmbushjen e 12 prioriteteve të Bashkimit Europian.

Vizitën e tij në Tiranë Sannino do ta nisë me një takim me kryeministrin Sali Berisha rreth orës 10:00, për t’u pasuar me një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në orët e pasdites.

Më pas në orën 17:00 Sannino do të jetë i pranishëm në komisionin e integrimit, ku bashkë me delegacionin që e shoqëron do të diskutojë për ecurinë e planit të veprimit për 12 prioritetet e BE. Ndërsa me pas ai do të pritet në Presidencë nga kreu i shtetit Bamir Topi, si edhe zv/kryeministri Edmond Haxhinasto.

Vizita e fundit e Sannino në Tiranë ishte më 6-7 shkurt të këtij viti. Ajo pason vizitën e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme në BE për Zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel, i cili mori pjesë në takimin e tretë të Komitetit të Stabilizim- Asocimit BE-Shqipëri. (LajmeShqip.com)