Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 11:42

Tiranë (PLOTESUAR 11:55) -Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, u shpreh sot se Shqipëria i ka potencialet për të përmbushur kriteret kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, Fyle theksoi se ritmi i anëtarësimit të Shqipërisë do të varet nga puna që do të bëjë vendi për të përmbushur të gjitha kriteret.

Ai theksoi se zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces i negociueshëm, pasi kreu i shtetit duhet të pasqyrojë frymën e Kushtetutës dhe unitetin e vendit.

I pyetur nëse zgjedhja e Presidentit është edhe element kyç për integrimin e Shqipërisë, komisioneri Fyle theksoi se “jam shprehur saktë dhe qartë për ato që duhen bërë që marrëveshja e nëntorit të përfundohet për planin e veprimit dhe rezultatet që duhet të dalin prej këtij plani veprimi. Këto janë parakushtet dhe zbatimi i ligjeve që janë miratuar në mënyrë që KE t’i rekomandojë shteteve anëtare dhënien e statusit kandidat. Jo vetëm KE, por edhe të tjerët do ndjekin atë që qeveria dhe opozita të kthehen në rrugën e tyre e ta kthejnë axhendën evropiane në axhendë kombëtare dhe në këtë është edhe zgjedhja e presidentit, që do të jetë një faktor tepër i rëndësishëm”.

Fyle deklaroi se e sheh të mundshëm anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai shtoi se axhenda europiane duhet kthyer në axhendë kombëtare. (LajmeShqip.com)

****************************

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të plotësuar 12 rekomandimet e BE, që i hapin rrugë statusit të vendit kandidat.

Pas takimit në kryeministri me Komisionerin për Zgjerim të BE, Stefan Fyle, Kryeministri theksoi në një konferencë të përbashkët për shtyp, se “në takim diskutuam gjerësisht problematikën e integrimit të vendit në BE, problematikën lidhur me statusin në BE”.

Në lidhje me mundësinë për t’u ulur në tryezë me kreun e PS-së për zgjedhjen e Presidentit, Berisha u shpreh se “nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri kam thënë se nuk do kandidoj për President. Së dyti, e vlerësoj ftesën e z.Rama. Theksoj se Kushtetuta përcakton afatin se kur fillon procesi kushtetues dhe si unë, edhe z. Rama, për hir të respektit të postit të Presidentit, duhet ta respektojmë”.

Kryeministri tha se “askush nuk duhet të paragjykojë një proces të negociueshëm, por duhet të urojë që të japë rezultatin më të mirë, përndryshe s’do ishte e vyer”. (LajmeShqip.com)