Lajme Shqip Monday, 07 September 2015 12:42

 

Procesi i integrimit të Mbrojtjes Civile në institucionet e Republikës së Kosovës është duke shkuar drejt fundit.

Tashmë 105 ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile kanë filluar punën në ministri të ndryshme dhe agjenci të pavarura. Derisa, pjesa tjetër që do të integrohen janë në proces të intervistimit.

Mirëpo, në anën tjetër shoqëria civile po shpreh skepticizmin nëse do të ketë një integrim të mirëfilltë të pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile në institucionet e Kosovës, nëse nuk përfshihet edhe verifikimi i sigurisë për të gjithë këta pjesëtarë.

Ministrja pa Portofol në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë për KosovaPress se marrëveshja për shuarjen e të ashtuquajturës Mbrojtje Civile ka hyrë në fazë finale, ku janë dy procese paralele që po zhvillohen.

“E para procesi i marrjes së objekteve në këtë fazë, ndërsa më herët janë shuar të gjitha ato mekanizmat që kanë pasur, si pikat vëzhguese e tjera dhe procesi i dytë paralel është rekrutimi i këtyre pjesëtarëve në institucionet e Kosovës në bazë të marrëveshjes dhe në bazë të vendimit që kemi marrë në Qeverinë e Kosovës. Një prej punëve është pranim dorëzimi i objekteve ku ata kanë vepruar më përpara….Ajo që është kryesorja në këtë proces është se rekrutimi mund të them se është 80 për qind të intervistave janë kryer, ka mbetur edhe një pjesë, paneli vazhdon deri në përfundim”, tha Tahiri.

Deri më tani punën në institucionet e Kosovës kanë filluar 105 ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, derisa pjesa tjetër pritet të nisë punën deri në fund të shtatorit.

Ministrja Tahiri thotë se janë 483 ish-pjesëtarë të kësaj organizate që do të integrohen, ku 50 do të jenë në pritje, pasi nuk kanë kapacitete për të gjithë. Ajo shton se kryesore është që të revitalizohen objektet ku do të vendosen ish-pjesëtarët e Mbrojtjes Civile.

Tani Policia e Kosovës e ka marr pikën vëzhguese apo kontejnerin mbi lumin Ibër e cila do të përdorët për nevojat e Policisë, derisa të tjerat janë mbyllë më herët.

Ndërsa, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tashmë ka identifikuar objektet në të cilat do të vendosen ish-pjesëtarët e mbrojtjes civile që do të integrohen në institucione t e Kosovës. Mirëpo, për rinovimin e tyre përgjegjëse është Ministria e Administratës Publike.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani përmes një përgjigje elektronike i ka thënë KosovaPress-it se procesi i integrimit të këtyre pjesëtarëve në institucionet e Kosovës po vazhdon edhe më tutje.

“Aktivitetet lidhur me rekrutimin e ish-pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile janë në vijim e sipër. Deri më tani ka përfunduar procesi i selektimit për 320 pozita. Rekrutimi është duke u bërë në kuadër të ministrive të linjës dhe Agjencioneve ekzekutive të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky proces është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen aktive nga organizatat pranuese në të gjitha fazat e rekrutimit që kanë të bëjnë me planifikimin, buxhetimin, përshkrimin e termave të referencës, kritereve te punësimit, procesit te evoluimit, përzgjedhjes dhe emërimit. Nga ky numër 105 zyrtarë tashmë kanë filluar punën dhe angazhimet e tyre në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës. Pjesa tjetër është ne fazën e aranzhimeve administrative dhe teknike për fillimin e implementimit të kontratave të tyre të punës”, tha Osmani.

Mirëpo, shoqëria civile po shpreh skepticizëm nëse pjesëtarët e Mbrojtjes Civile do të integrohen mirëfilli nëse nuk përfshihet edhe procesi i verifikimit të sigurisë.

Sekretari i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli tha për KosovaPress se procesi i integrimit të tyre është stërzgjatur, për çka stërzgjatja e këtij procesi tashmë dihet, pasi ka qenë një numër mjaftë i madh që iu ka nënshtruar një procesi dhe për Qeverinë e Kosovës ka qenë një barrë mjaftë e madhe që të mund të realizojë.

“Kërkohen disa masa tjera të cilat nuk i përkasin sektorëve tjerë, sidomos kur të kemi të bëjmë me verifikimin e sigurisë, megjithëse nuk është paraparë ndonjë hap konkret që pjesëtarët e kësaj strukture në proces të integrimit t’i nënshtrohen proceseve të ngjashme të cilët iu nënshtrohen edhe komunitetet tjera. Prapë se prapë është e vështirë të besohet se një integrim i mirëfilltë i këtyre personave mund të bëhet brenda strukturave kosovare po që së nuk përfshihet edhe procesi i verifikimit të sigurisë. Kjo për shkak se këta si strukturë për një kohë të gjatë kanë pasur një lojalitet ndaj një strukture që në një farë forme ka qenë rivalizuese të strukturave vendore dhe është vështirë që të integrohen në mënyrë të mirëfilltë personat të cilët mund të kenë potencialisht punëdhënës të dyfishtë”, tha Vrajolli.

Qeveria e Kosovës tashmë ka listën e institucioneve që do të nisin punën ish-pjesëtarët e Mbrojtjes Civile. Shumica e ministrive do të kenë zyra lokale, inspektorate të ndryshme apo mekanizma të tjera ashtu siç i kanë në komunat tjera.

Ndërsa, duke filluar nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, deri te Agjencioni Kadastral, ai i Ushqimit, do jenë vende pune për ish pjesëtarët e Mbrojtjes Civile. Megjithatë, shumica prej tyre kanë kërkuar që të punësohen në institucionet e sigurisë, si në Policinë e Kosovës.