Lajme Shqip Monday, 25 March 2013 15:31

TIRANË- Nis punimet në Tiranë konferenca me temë ‘Just BE’. Marrin pjesë Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësise Evropiane Stefan Fyle, si dhe Kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan. Gjatë konferencës u prezantua një portal web i Delegacionit të Bashkimit Europian, që do të jetë një platformë për të gjithë ata që ndajnë interesin për integrimin e Shqipërisë në BE.

INTEGRIMI, FYLE: 2013-ta PLOT MUNDESI E SHANSE, E KENI VETE NE DORE
Gjatë fjalës së tij në konferencë, eurokomisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, theksoi rëndësinë që Europa të jetë prioritet në axhendën politike, pavarësisht vëmendjes dhe angazhimit të partive politike në fushatën elektorale. Ndërsa shpjegoi arsyet e organizimit të konferencës “Just BE” në Tiranë, komisioneri Fyle theksoi se politika dhe qytetarët shqiptarë e kanë vetë në dorë përparimin e vendit drejt integrimit evropian. Sipas tij, 2013-ta do të jetë një vit plot shanse për Shqipërinë, por shfrytëzimi i këtyre mundësive mbetet në dorën e shqiptarëve.

“Fillimisht dua të sqaroj 6 gjëra kryesore pse zhvillohet kjo konferencë, pse tani?
1-Së pari në Komisionin Evropian jemi të interesuar për Shqipërinë dhe jemi të angazhuar plotësisht që të ndihmojmë Shqipërinë për të arritur aspiratat evropiane. Do të vazhdoj që të vi në Shqipëri dhe të luftojmë edhe natyrën, sepse herën e fundit që isha këtu, dy herë i ra rrufeja avionit dhe sërish jam këtu.
2-Duhet të intensifikohet dhe të fuqizohet angazhimi i klasës politike, pavarësisht se vëmendja e tyre përqendrohet në zgjedhjet e ardhshme. Duke mbajtur Europën si prioritet ne axhendën politike, së bashku me çështje të tjera të rëndësishme është shumë e rëndësishme.
3- Nuk erdhëm këtu për tu bërë pjesë e fushatës politike, ne respektojmë zgjedhjen që do të bëjnë zgjedhësit shqiptare dhe unë shpresoj që politikanët në Shqipëri të respektojnë rezultatet.
4- Ky aktivitet nuk është seri leksionesh, por një mundësi që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin, të shkëmbejmë ide, mendime. Për atë se si duhet ta mbajmë fokusin tek Europa, se si t’i mbajmë premtimet.
5- Eshtë një mundësi që të flasim drejtpërdrejt me median dhe shumë të tjerë në Shqipëri. Jam i lumtur që të gjithë të mësojnë më shumë për Europën.
6-Nuk dua që ne ta shikojmë këtë konferencë si një aktivitet të izoluar, por si një përpjekje nga ana jonë për të ndërtuar një bazë të fortë për një angazhim gjithnjë e me aktiv.”- u shpreh komisionari Fyle.

Ndërsa përmendi përfitimet që do të ketë vendi pas çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, eurokomisioneri theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë rezultatet e pritshme dhe qytetarët të përfitojnë nga këto mundësi.

“Siç e dini janë hasur disa vështirësi përsa i përket ecjes përpara me reformat që kanë të bëjnë me BE. Besoj se Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për t’i zgjidhur këto çështje dhe të ndërmarrë hapat e duhura për të ecur përpara drejt BE-së. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e shikojnë të ardhmen e tyre në BE. Integrimi evropian do të sjellë stabilitet dhe begati. Konsensusi duhet të konfirmohet me anën e veprave, synimi i Shqipërisë për integrim në BE duhet të sillet me anën e programeve dhe axhendave politike. Ky synim nuk duhet të bëhet viktimë e politikave të brendshme të partive.”- u shpreh Fyle.

Ndërsa përmendi rastin e Kroacisë, që pritet të anëtarësohet së shpejti në union, komisionari Fyle tha se mbështetja për axhendën evropiane është kyçe për të ecur përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Më tej, komisioneri nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që sipas tij, do të dërgojnë një mesazh të qartë për BE-në.

“Eshtë përgjegjësia e të gjitha partive politike, e gjithë shoqërisë shqiptare që të kontribuojë që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë një nivel të lartë të standardeve demokratike, duke mos lënë vend për të kontestuar. Kjo arritje do të na çojë një mesazh të qartë. Publiku shqiptar duhet të kuptojë se çfarë është BE-ja dhe duhet që udhëheqësit shqiptarë ta çojnë vendin përpara.”- deklaroi Fyle.

KUKAN: TEJKALONI PROBLEMET POLITIKE, E ARDHMJA NË BE MBI TO
Kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan gjatë fjalës së tij në këtë konferencë e vuri theksin tek integrimi i Shqipërisë në BE, një proces ky që sipas tij në radhë të parë bëhet për qytetarët, prandaj i bëri apel politikës të lërë mënjanë problemet e brendshme dhe të plotësojë aspiratat e shqiptarëve.

“Përpara 10 vitesh kur Sllovakia hyri dyert e BE nuk është se nuk kishim të meta, por e përdorëm potencialin tonë për ti bërë gjërat që të funksiononin, ne e kapëm mundësinë që na u dha, e kam për të gjithë Sllovakinë. Po ti kthehemi Shqipërisë, vjet festoi 100- vjetorin, kam parë shumë shqiptarë që shikojnë drejt së ardhmes. Shqipëria ka nevojë për praninë evropiane dhe BE që ka nevojë për Shqipërinë partnere të fortë në BE dhe anëtare të saj. Sot jam këtu që të theksoj mundësinë që i jepet Shqipërisë me integrimin, që shoqëria të transformohet. Ne duhet të vëmë të ardhmen mbi cdo lloj problemi të brendshëm. Vetëm duke mos harruar këtë, vendi do jetë pjesë integrale e BE. Axhenda e integrimit tuja është ende në listën tonë të prioriteteve, duhet të jetë edhe për Shqipërinë, Zënkat dhe problemet politike nuk duhet ta ndërpresin këtë proces, të tejkalohen dallimet me njëri-tjetrin, që mund të jenë duke mbajtur peng progresin e vendit në këtë proces”, apeloi ai.

Sipas Kukan, i gjithë procesi ka të bëjë jo vetëm me procesin ekonomik por edhe politik e kulturor. Ai theksoi se, “roli aktiv i qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit është vërtetë jetik”. “Zëri juaj duhet të dëgjohet dhe jo vetëm në mënyrë simbolike, por si një zë që duhet t’u kërkojë llogari përfaqësuesve tuaj politik për procesin e integrimit”, tha Kukan. “Zëri juaj duhet të dëgjohet, ti kërkoni llogari politikanëve për procesin e integrimit”, iu drejtua ai qytetarëve shqiptarë.

“Parlamenti duhet të jetë një vend ku marrëveshjet politike të diskutohen, qeveria të sqarohet, qytetarët të kenë mundësi ta shikojnë jetën politike të vendit. Ju duhet të ndërtoni institucione të forta dhe demokratik,. Ne i njohim politikanët tuaj, ata kanë mundësi, por përpjekjet e tyre duhet të kenë rrënjët tek demokracia”, tha Kukan më tej.

SEQUI: INTEGRIMI, ME SHUME PERFITIME
Fjalën e hapjes e mbajti Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili foli për rëndësinë që Bashkimi Europian ka për shqiptarët. Evropa është një shpresë e madhe, tha Sequi.

“Ky diskutim përqendrohet në një varg aspektesh të integrimit në BE. Do paraqesim një platformë për të gjithë ata që dëshirojnë të informohen për BE”, tha ai.

Integrim sipas Sequit, do të thotë më shumë përfitime, punë më të shumta, rritje ekonomike, mbrojtja e konsumatorëve, më pak korrupsion, Integrimi do të thotë shndërrim, transformim.

Ai shtoi se “ BE përfaqëson sot një shoqëri më moderne që përcakton në thelb vlerat e paqes, respektit për të drejtat e njeriut, një sistem vlerash dhe rregullash që ne i ndajmë. Të gjithë ata që ndajnë këto rregulla janë qytetarë të BE. Është edhe një ftesë për të thënë thjesht jini europianë”.

Komisioneri Fyle pritet të prezantojë një portal web të Delegacionit të Bashkimit Europian, që do të jetë një platformë për të gjithë ata që ndajnë interesin për integrimin e Shqipërisë në BE. 

Fyle vjen në Tiranë pas një turi në rajon, për t’u ndalur në Beograd e në Kosovë. Në axhendën e tyre, Fyle e Kukan nuk kanë përfshirë
takime me krerët e politikës shqiptare, por gjithsesi që ata të zhvillojnë takime të ndara në Tiranë, me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu,
në takimin dypalësh me qeverinë, dhe me kreun e Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushatin, në takimin me opozitën. 
Fokusi i bisedave pritet të jenë zgjedhjet e 23 qershorit, retorika nacionaliste dhe reformat për integrimin europian.(LajmeShqip.com)