Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 12:48

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi, pas takimit me komisionarin për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fule,  deklaroi të martën se Qeveria e Kosovës është e gatshme të jetë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe në takimin e nesërm tha se do të shkohet me vullnetin për të arritur marrëveshje. Nga ana e tij zyrtari i lartë i BE-së mbështeti dialogun dhe dinamikën e tij midis Kosovës e Serbisë, si një interes të të dy vendeve, suksesi i të cilit mirëpritet nga Bashkimi Europian.

Zëvendëskryeministri me këtë rast theksoi se kryeministri Hashim Thaçi në takimin, që pritet të mbahet nesër me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, do të shkojë me vullnetin për të arritur marrëveshje, me qëllim të paqes, stabilizimit dhe normalizimit të raporteve, por siç tha ai, duke pasur parasysh respektimin e sovranitetit të Kosovës.

Kuçi po ashtu tha se në takimin me Fulen, ka prezantuar të arriturat dhe gatishmërinë për përmbushjen e obligimeve lidhur me procesin integrues, duke theksuar posaçërisht përmbushjen e kritereve afatshkurta.Ai kërkoi që të përshpejtohet procesi sa i përket marrëveshjes së Stabilizim-asocimit si dhe liberalizimit të vizave. Kuçi tha se presin hapa konkretë nga Komisioni Evropian muajin e ardhshëm.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule ka deklaruar se Prishtina e Beogradi janë afër përmbushjes së detyrave sa i përket integrimeve evropiane, megjithatë ai ka thënë se Kosova duhet të shfaq kurajo më shumë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik.Këto, komente, Fule i bërë pas takimit që pati me Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe ministrinë e integrimeve, Vlora Çitaku.

Fule e vlerësoi progresin e bërë deri më tani , duke thënë se ky progres është si rezultat i punës së madhe që ka bërë Kosova dhe për hapat tjerë do të vendosin shtetet anëtare në qershor.“Kosova duhet të shfaqet kurajo më të madhe në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik, vazhdimin e reformave për rrugën e saj drejt Evropës dhe do ta kemi përkrahjen tonë gjithmonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, palët janë më afër që të përmbushin detyrat që kanë të bëjë me anëtarësimin e BE-së.Sipas tij, marrëveshja Kosovë-Serbi do të ishte mirë të arrihej për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe do të forconte aspiratat për integrime evropiane.

Takimi ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe atij serb, Daçiq pritet të mbahet të mërkurën, më 20 mars. Komisioneri për Zgjerim i BE-së pritet të takohet edhe me presidenten Jahjaga si dhe me krykuvendarin Krasniqi.(LajmeShqip.com)