Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 10:23

Mitrovicë (PLOTËSUAR 23:30) – Sllavko Joviç, i njohuar me nofkën “Cipiripi”, pjesë e strukturave të MUP-it të Serbisë në veri të Mitrovicës, është personi i plagosur me gjëndjen më të rëndë, njoftojnë burimet tona të portalit LajmeShqip.com.

Sipas këtyre burimeve, Cipiripi është personi i pare, që ka hapur zjarr me armë në drejtim të ushtarëve të NATO-s duke plagosur një ushtarë të këtij misioni. Mjekët e spitalit të Mitrovicës e kanë futur në sallë të operacionit Cipiripin dhe po mundohen që ti shpëtojnë jetën.  

Në qytetin e Mitrovicës, Cipiripi njihet si polici i Serbisë që ka bërë dëme të shumta gjatë kohës para dhe pas lufte në Kosovë. Cipiripi ka qenë i emëruar si funksionar policie në rajonin e rrugës Mbretëresha Teutë  që nga lumi poshtë, tek stacioni i autobuzëve, deri në lagjen e Shipolit.

Burime te portalit LajmeShqip.com, kanë bërë të dituar se KFOR-i ka arritur të kapë tre serb të armatosuar të cilët kanë shtirë pa ndërprerë drejt ushtarëve të KFOR-it. Arrestimi i serbëve është bërë i mundur vetëm pas izolimit nga ajri të  helikopterëve, ndërsa ushtarët e tjerë të KFOR-it i kanë kapur ata nga toka. Burimi ka shtuar më tej se tre serbët e arrestuar,  KFOR, ia ka dorëzuar policisë së EULEX-it të cilët i ka sjellë në jug të Mitrovicës.

Strukturat paralele serbe jo vetëm që kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it ditën e premte por ata kanë dhunuar edhe studentët serb të të ashtuquajturit Universitet i Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës. Studentë serb të cilët nuk donin të shkonin në vendgrumbullimin e barrikadave dhe të konfrontoheshin me KFOR-in, kanë tentuar të kthehen në shtëpitë e tyre përmes jugut të Mitrovicës. Ata janë rrahuar egërsisht nga pjestarë të MUP-it serb dhe Mbrojtjesë Civile serbe. Sulmi i policëve të Serbisë ndaj studentëve serb ka ndodhuar pranë  shkollës së mesme teknike, në veri të Mitrovicës.

Pranë kesaj shkolle, janë rrahuar me dhjetëra student serbë si dhe janë dëmtuar disa autobus. 4 autobusët me targa RKS, rreth orës 18 kishin organizuar kthimin e studentëve nëpër shtëpitë e tyre, në rajonin e Anamoravës dhe jugut të Kosovës. (LajmeShqip.com)

***************************

Mitrovicë (PLOTËSUAR 19:30) – Forcat Paqeruajtëse të KFOR-it kanë zvogëluar numrin e ushtarëve të tyre pas largimit të barrikadës në Rudarë afër Zveçanit. “Kemi ende prani të KFOR-it, por e kemi zvogëluar numrin e ushtarëve në atë pjesë”, ka thënë zëdhënësi, Marko Marsegan.

Heqja e barrikadës në Rudarë është përcjellë me tensione pas kundërshtimeve të dhunshme të popullatës serbe atje që si pasojë solli plagosjen e dy ushtarëve të KFOR-it dhe tre protestuesve serbë. Njëri nga ushtarët e plagosur është evakuar për në spitalin ushtarak në Bondsteel dhe më vonë është lëshuar nga spitali.

“KFOR-i nuk lejon që situata të përshkallëzohet më tej dhe është ende i gatshëm për të përdorur nivelin proporcional të forcës minimale për të mbajtur një “ambient të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke i përcjellur “nga afër dhe me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës”. Duke vlerësuar lart angazhimin e forcave të KFOR-it për heqjen e barrikadave në fshatin Rudarë, për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës, qeveria e Kosovës nënvizon se “largimi i barrikadave dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për qytetarët”.

Në një reagim me shkrim, Qeveria e Republikës së Kosovës “iu bën ftesë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit që të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe t’i ndihmojnë forcat paqëruajtëse në përmbushjen e mandatit të tyre për të krijuar një mjedis të sigurtë për të gjithë” (G.E)

********************************************

Mitrovicë (PLOTESUAR 15:40)- Forcat paqeruajtëse në përbërje të KFOR-it, kanë konfirmuar se dy pjesëtarë të kësaj force janë plagosur gjatë operacionit të sotëm për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës.

Njëri nga ushtarët, thuhet në komunikatën e KFOR-it, është evakuar dhe është në gjendje të qëndrueshme” Forca paqeruajtëse ka dënuar ashpër këtë akt të dhunshëm, duke thënë se “nuk do të lejojë që situata të përshkallëzohet edhe më shumë” dhe se “do të përdorë masa vetëmbrojtjeje, nëse është e nevojshme”.

Operacionin e sotëm paqerujatësit njoftojnë ta kenë ndërmarrë “me qëllim të përmirësimit të lirisë së lëvizjes dhe nuk ka të bëj vetëm me KFOR-in por me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i ka ftuar gjithashtu të gjitha palët që të shmangin hapat e njëanshëm, deklaratat nxitëse apo përdorimin e akteve të dhunshme. Milena Cvetkoviq, mjeke në qendrën spitalore në Mitrovicë, deklaroi për median “tre serbë janë plagosur, njëri prej tyre nga të shtënat me armë zjarri, është në gjendje më të rëndë”. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 14:50)- Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e dënon dhunën mbi forcat paqeruajtëse të NATO-s nga një grup i qytetarëve të komunitetit serb që ndodhi sot në rrugën Mitrovicë – Leposaviq dhe që solli plagosjen e një numri të ushtarëve të KFOR-it dhe të qytetarëve, duke i cilësuar të papranueshme përpjekjet e strukturave ilegale serbe për të penguar me dhunë heqjen e barrikadave nga rrugët dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. 

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës mbështet aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave dhe zhbllokimin e rrugëve që përkon me misionin e KFOR-it për vendosjen e stabilitetit dhe të sigurisë si dhe për aplikimin e sundimit të ligjit në territorin e Republikës së Kosovës. Ky është veprim për të mos lejuar sundimin e anarkisë në tri komunat në veri të vendit.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se veprimi i strukturave kriminale dhe ilegale për bllokimin e rrugëve në komunat në veri të vendit si dhe pengimi i mekanizmave të sigurisë për vendosjen e rendit, është i dënueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit si dhe normat dhe ligjet ndërkombëtare për lirinë e lëvizjes. 

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon vendosjen e gjendjes normale në këtë pjesë të vendit dhe shuarjen e strukturave ilegale e kriminale të cilat po pengojnë dhe mbajnë peng popullatën e kësaj pjese dhe po i shfrytëzojnë problemet reale të qytetarëve për qëllime të veta, duke i ftuar të gjithë qytetarët për veprime brenda institucioneve. (LajmeShqip.com)

**************************************

Beograd (PLOTESUAR 14:30)- Ministri i Serbisë për Kosovën Goran Bogdanoviç i bëri thirrje trupave të KFOR-it që të përmbahen nga përdorimi i forcës. Ai gjithashtu i kujtoi KFOR-it vetëpërmbajtjen në mënyrë rigoroze për ushtrimin e mandatin e tij,  si kundër ju drejtua  edhe serbëve të veriut të Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe të injorojnë provokimet.

Duke komentuar incidentin afër Rudarës, në veri të Kosovës, ku ka pati të shtëna me armë zjarri dhe plagosjen e disa perosnave,  Bogdanoviç u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.  “Është shumë e rëndësishme për të ulur tensionin sa më shpejt të jetë e mundur, normalizimin e situatës dhe për të zgjidhur të gjitha problemet përmes dialogut, dhe jo forcës,” tha ai për Tanjug.

“Tani për tani, të gjithë duhet të kuptojnë se situata është shumë e paqëndrueshme”, ka theksuar Bogdanoviç. “Kjo është arsyeja pse unë i bëj thirrje KFOR-it, por edhe serbët në veri, për të treguar vetëpërmbajtje maksimale, kur është fjala për të marrë veprime të rrezikshme. Çdo përshkallëzimi i konfliktit mund të na çojnë në një spirale e dhunës me pasoja të paimagjinueshme “, përfundoi ministri. (LajmeShqip.com)

***********************************

Bruksel(PLOTESUAR 14:02)- Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin e tij pas tensioneve të ditës së sotme në veri të Kosovës.

Zëdhënësja e baroneshës Katherine Ashton, Maja Koçijançiç ka shprehur përmes një deklarate zyrtare shqetësimin për zhvillimet në veri. “Është një operacion i KFOR-it për të hequr barrikadat. Atje kanë nisur akte dhune. Për ne, parimi i lirisë së lëvizjes është një nga parimet kryesore. Kjo çështje është adresuar edhe në dialogun Kosovë-Serbi. Ne jemi në kontakt me partnerët e NATO-s. Në raste të tilla nxisim të gjithë të tregojnë përmbajtje nga aktet e dhunës dhe bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë”, u shpreh Koçijançiç.

Nga ana e tij Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi ka konfirmuar se nga situata e tensionuar në Rudarë ka pasur edhe të plagosur, por sqaron se kanë qenë serbët ata që kanë qëlluar në drejtim të KFOR. Sipas tij KFOR ka përdorur ndaj serbëve gaz lotsjellës dhe plumba gome. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Beograd (PLOTESUAR 13:40)- Presidenti serb Tomislav Nikoliç u takua të premten me ministrat e qeverisë, për të diskutuar mbi incidenteve në veri të Kosovës, pohojnë burimet jozyrtare të agjensisë BETA.

Në takim me presidentin Nikoliç, përveç ish ministrit Cvetkoviç,  ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, ministri i Drejtësisë Snezana Maloviç dhe Ministrit për Kosovën. Ata janë larguar nga Presidenca e Serbisë nga ora 12:30, por nuk kanë dhënë asnjë deklaratë. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Zveçan(PLOTESUAR 13:15)- Të paktën pesë qytetarë serbë të Kosovës dhe një ushtar i NATO-s janë plagosur në një shkëmbim zjarri të premten, pasi paqeruajtësit u përpoqën të shpërbëjnë postblloqet e serbëve të cilët bllokonin trafikun, tha një dëshmitar i Reuters.

Trupat e NATO-s të njohura si KFOR-i kanë gjuajtur me gaz lotsjellës dhe armëve të vogla dhe disa protestues qëlluan përsëri me pistoleta. Qindra serbë janë ballafaquar me trupat e KFOR-it mbi automjetet e blinduara pranë një barrikadë jashtë qytetit të Zveçanit në një zonë të mbizotëruar nga serbët e veriut të Kosovës, duke i goditur ata me gurë.

“Një ushtar i KFOR-it është plagosur, Uwe Nowitzki. “KFOR-i do të përgjigjet në vetëmbrojtje në përputhje me rrethanat në qoftë se është e nevojshme,” tha ai pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kosova, 90 për qind e shqiptarëve etnikë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbët dominojnë në një bandë e vogël  në veri, në kufi me Serbinë e cila vazhdon të funksionojë si pjesë e shtetit serb, të cilat rezistojnë kundër përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetin e saj në këtë zonë. Dragisha Milloviç, kryetari i komunës së Zveçanit e cila është rreth 60 km (40 milje) larg kryeqytetit Prishtina, tha se KFOR-i ka refuzuar lejimin e personelit serb mjekësorë të ndihmojë  serbët plagosur.

Komandanti i KFOR-it tha se “ata kanë autoritetin për të përdorur forcën vdekjeprurëse për këdo që hedh një gur ose përdor armë,” tha korrespondenti i Rojters. Milloviç ka deklaruar se ai u kishte kërkuar serbëve që të tërhiqen për të rivendosur qetësinë. Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada përgjatë kalimeve kufitare me Serbinë fqinje vitin e kaluar, pasi autoritetet në Prishtinës, policia e Bashkimit Evropian dhe gjyqësori misioni EULEX u përpoqën të vendosnin praninë e tyre atje. (LajmeShqip.com)

****************************************

Zveçan (PLOTESUAR 12:30)- Vazhdojnë tensionet në veri. KFOR-i është i vendosur t’i heqë barrikadat. Në afërsi të tyre është grumbulluar një numër i serbëve. Deri tani një ushtar i KFOR-it është i plagosur, ndërsa mediat serbe raportojnë edhe për qytetarë të lënduar.

KFOR-i ka konfirmuar se një paqeruajtës është plagosur sot gjatë operacionit për heqjen e njërës nga barrikadat në veri. “Ushtari i plagosur tashmë është evakuuar dhe gjendja e tij është stabile.

KFOR-i e dënon këtë akt të dhunës. KFOR-i gjithmonë udhëhiqet nga parimi i përdorimit të forcës minimale në operacione. Sidoqoftë. KFOR-i do të përgjigjet në mënyrë adekuate nëse është e nevojshme. KFOR-i nuk do të lejoj eskalimin e situatës”, ka thënë Uwe Novicki, zëdhënës i KFOR-it. (LajmeShqip.com)

****************************************

Beograd (PLOTESUAR 12:10)- Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka thënë se KFOR-i ka ndërmarrë një “veprim shumë të rrezikshëm” duke bërë përpjekje për të hequr barrikadën në Rudare të Zveçanit.

“Nuk i di motivet për këtë. Me duket se Prishtina dhe KFOR-i shfrytëzojnë vakumin institucional në Serbi për të ndryshuar gjendjen në terren. KFOR-i ka nisur menjëherë të përdorë plumba gome dhe gaz lotsjellës dhe druaj se kjo do të jetë një ditë e gjatë”, ka thënë Ivanoviç për mediat serbe.Ivanoviç tha se Ministria për Kosovën po bën përpjekje të qetësojë tensionet dhe se tashmë ka kontaktuar misionet ndërkombëtare në Kosovë për këtë çështje. (LajmeShqip.com)

*****************************************

Zveçan – Burime të meidave serbe në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugën Zveçan-Rudare, ku që nga orët e hershme të mëngjesit forcat amerikane të KFOR-it kanë bllokuar rrugën Zveçan-Rudare, ndërkohë që janë grumbulluar numër i madh serbësh për të penguar forcat e KFOR-it që ta heqin barrikadën nga ky vend, po dëgjohen  të shtëna armësh.

Agjencia serbe BETA njofton se nga larg po dëgjohen armë, ndërkohë që në Zveçan, vazhdojnë të dëgjohen edhe sirenat, të cilat ftojnë serbët për tu grumbulluar. Sipas BETA-s në spitalin e Mitrovicës në mëngjes janë trajtuar 3 persona të plagosur.

Njëri nga të plagosurit është lëshuar në shtëpi, ndërsa dy të tjerë po trajtohen në spital. Sipas kësaj agjencia, KFORI, ka lëshuar ekipet e ndihmës së shpejtë për te kaluar.

Nënkoloneli i KFOR-it, oficeri amerikan Jozef Linch ka thënë sot rreth orës 10 para dite se ushtarët e KFOR-it do të shtijnë me armë në serbët e grumbulluar, nëse ata do të gjuajnë me gurë pjesëtarët e KFOR-it, apo nëse  vërehen armë te masa e grumbulluar, iu kanë thënë serbe të grumbulluar te Rudare kryetarët e komunave paralele në Zveçan dhe në Zubin Potok, raporton gazeta serbe “Blic”.

Me oficerin amerikan , sipas gazetës serbe, kanë biseduar kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, ai i Zubin Potokut, Slavisha Ristiq dhe drejtoresha e spitalit, Milena Cvetkoviç. Pas kësaj bisede këta zyrtarë kanë apeluar serbët që të mos gjuajnë me gurë , sepse në të kundërtën KFOR do të përdorë armët.

Mbi Rudare po fluturojnë helikopterë të KFOR-it, të cilët po i vijnë pa ndalur ndihma nga toka . Sipas medieve serbe, KFOR ka tentuar të heqin barrikadën këtu, ndërsa serbët kanë tentuar që ta pengojnë KFOR-in. (LajmeShqip.com)