Lajme Shqip Saturday, 06 July 2013 14:10

Tiranë- Ish-kryeprokurorja Ina Rama, e sulmuar nga maxhoranca aktuale, tashmë në ikje, nuk ka mundur të sigurojë një vend në Gjykatën e Apelit, edhe pse zyrtarisht prej muajsh i është drejtuar me kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për t’u emëruar, sikurse parashikohet në ligj.
Dikur shefja e organit të akuzës, që shpesh prishte planet e maxhorancës qeverisëse, nuk është votuar as dje për një vend nga shtatë që ishin vakante në Shkallën e Dytë të Gjyqësorit, për arsye që nuk bëhen të ditura.
Rama konfirmon faktin se ka bërë kërkesë për emërimin si gjykatëse në Apel që në datën 14 janar 2013 dhe ishte në pritje të emërimit.
“Isha në pritje të emërimit në Gjykatën e Apelit. Kërkesën e kam bërë që në datën 14 janar 2013”, është shprehur ajo për GSH.
Një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpreh se emri i Ina Ramës nuk figuronte në listën me 108 emra që konkurruan për shtatë vendet vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë.