Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 10:30

Tiranë – Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Ina Rama, në krye të një delegacioni të Prokurorisë Shqiptare, mori pjesë në punimet e samitit “Balkans Scorecard” të organizuar nga “Miqtë e Evropës”, Instituti Konrad Adenauer dhe EU 40, në të cilën merrnin pjesë personalitete të rëndësishme të BE, ministra të vendeve të ndryshme, deputetë, përfaqësues të mediave, etj.

Zyra e shtypit e prokurorisë bëri të ditur se në këtë aktivitet i cili u zhvillua në Bruksel, Belgjikë, në datën 30 Nëntor, u diskutua rreth problemeve të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vëndet e Ballkanit.

Në sesionin e tretë të këtij samiti, në të cilën u diskutua rreth situatës së “Krimit të organizuar dhe korrupsionit në rajon dhe luftës kundër tij”,  Komisioneri i BE për Zgjerimin, Stefan Fule, bëri një ekspoze të situatës në rajonin e Ballkanit dhe politikat e BE për zgjerimin për secilin shtet.

Në vijim të seancës, Kryeprokurorja, Ina Rama, shpjegoi punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në luftën kundër krimit të organizuar si dhe për rritjen e bashkëpunimit të prokurorisë shqiptare me institucionet homologe të vendeve të tjera dhe veçanërisht me ato të rajonit si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Rama shtroi si nevojë krijimin e një panorame të qartë të gjendjes dhe aktivitetit të organizatave kriminale në rajon, pasqyrë e cila duhet të ndërtohet nga agjencitë e zbatimit të ligjit të çdo vendi në bashkëpunim me njëri tjetrin.

Sipas saj, kjo do të ndihmonte në një goditje më frontale të këtij aktiviteti dhe të mos mbetej vetëm në hetimin e përbashkët të rasteve që paraqiten sporadikisht.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm bëri një ekspoze të punës së Prokurorisë Shqiptare në goditjen e rasteve të korrupsionit nëpërmjet punës së bërë prej Njësive të përbashkëta hetimore duke theksuar se lufta ndaj tij mbetet ndër prioritetet e institucionit të akuzës duke iu përgjigjur kështu edhe rekomandimeve dhe detyrave të BE për Shqipërinë lidhur me këto fenomene.

Në këtë sesion mbi problemet e drejtësisë,  ku merrnin pjesë dhe titullarë të prokurorive të vendeve të ndryshme si dhe Ministrja e Integrimit për Kosovën, Vlora Çitaku, u evidentuan  probleme të veçanta dhe u theksua se këto trajtesa shërbejnë si një mundësi e mirë për shtimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efikasitetit në luftën e përbashkët kundër krimit.