Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 08:25

Bruksel – Ndërsa klasa politike shqiptare vijon debatin për çështjen e imunitetit, kur ka mbetur vetëm pak kohë nga vlerësimi i BE-së, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, bën apel për dakordësi mes palëve përpara tetorit.

Në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, Sannino kërkon nga politika shqiptare që të mos e shndërrojë çdo çështje në betejë, por të bëjë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit.

“Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë.”- u shpreh Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një konferencë në Bruksel. 

Sipas Sanninos, “Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problematike është fakti se çdo çështje kthehet në betejë nga klasa politike, dhe në fund ajo që mbetet është më tepër lufta politike se sa rezultatet.”

Brukseli i kushton rëndësi të veçantë heqjes dhe kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, dhe kjo reformë mund t’i sigurojë Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat në tetor.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet “Thembra e Akilit” për vendet e Ballkanit, që të përparojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. (LajmeShqip.com)