Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 19:07

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti të premten në një takim kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Asablenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Luca Volante.

Duke folur për zhvillimet politike, kryeministri Berisha tha se palët kanë respektuar përgjithësisht marrëveshjen e nëntorit me miratimin e reformës zgjedhore dhe disa ligjeve me shumicë të cilësuar.

Por nga ana tjetër ai u shpreh i shqetësuar për atë që e cilësoi si “bllokim për heqjen e imunitetit” nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Kryeministri Berisha u shpreh se, zoti Rama nuk voton heqjen e imunitetit vetëm për të bllokuar marrjen e statusit, pasi sipas tij, kreu i opozitës beson se kjo do të dëmtojë besimin e shqiptarëve tek qeveria.

Kryetari i qendrës së djathtë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës u shpreh se, zoti Rama, në takimin e fundit me përfaqësuesit e Asamblesë, kishte akuzuar qeverinë se nuk pranon heqjen e imunitetit, sepse me imunitetin mbron korrupsionin e zyrtarëve të saj.

Kurse tani, sipas tij, rezulton se është ai dhe opozita që duke bllokuar heqjen e imunitetit mbrojnë korrupsionin dhe bllokojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Volante ka pohuar se ky qëndrim është i dëmshëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Reagon kreu i PS: Fushatë denigruese ndaj opozitës

Pas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë për takimin Berisha-Volante, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Socioaliste, Edi Rama, i cili përmes një deklarate për shtyp thotë se, shpreh keqardhje për përmbajtjen e njoftimit të Kryeministrisë mbi takimin në fjalë.

“Nuk është hera e parë që eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane bëhen pjesë e fushatave denigruese ndaj opozitës shqiptare, krah për krah me Sali Berishën”, thekson Rama.

Më tej në reagim thuhet se, “Megjithatë, sado të shpifë e shajë opozitën, kryetari i Partisë Demokratike dhe çfarëdo isoje t’i mbajë atij ndonjë i djathtë europian, Partia Socialiste ka bërë në këtë vit politik për integrimin europian e për statusin e kandidatit për Shqipërinë, aq sa asnjë opozitë s’ka bërë ndonjëherë më parë”.

Për Edi Ramën, përrallën e bllokimit të statusit nga opozita meqë socialistët kanë deklaruar se nuk votojnë në datën 6 gusht, zotërinjtë Berisha dhe Volonte mund t’ia tregojnë njëri-tjetrit apo atyre që u besojnë verbërisht, po asnjë shqiptari që shikon e që dëgjon me sytë e me veshët e tij.

Kryesocialisti Rama thotë se, e siguron opinionin publik dhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë se Partia Socialiste mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj.

“Grupi parlamentar i opozitës do ta votojë pro kufizimin kushtetues të imunitetit vetëm pasi të jenë diskutuar edhe ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej tij”, nënvizon Rama.

Me këtë rast, kreu i PS i bën thirrje kryeministrit të heqë dorë nga politika e shpifjeve e sharjeve ndaj opozitës dhe t’i hapë rrugë pa humbur kohë debatit për pjesën ende të padiskutuar të ndryshimeve kushtetuese që ka propozuar opozita. (LajmeShqip.com)