Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 16:05

Tiranë (PLOTESUAR 18 SHTATOR, 18:40)- Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët.

Po sot, Kuvendi hodhi poshtë me 60 vota pro, 63 kundër dhe 6 abstenim nismën e PS-së për ndryshimet kushtetuese. Menjëherë pas votimit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se pas 10 viteve përpjekjesh, Kuvendi arriti të vendoste një prej standardeve evropiane të kërkuara prej kohësh.  Ajo e cilësoi ditën e sotme, si një dot të mirë, ndërsa ftoi deputetët që nesër të votojnë edhe ligjin për Gjykatën e Lartë.

Në seancën e sotme Kuvendi miratoi edhe disa ligje të tjera të rëndësishme, si ai për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH për asistencën sociale.  Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për kontrollin e pasurive të të zgjedhurve dhe nëpunësve, i ndryshuar. (LajmeShqip.com)

***************************************

Tiranë (PLOTESUAR 18 SHTATOR, 17:20)- Pasi falenderoi opozitën për konsensusin ndaj asaj që ai e quajti si “përpjekje shumëvjeçare” e demokratëve për të hequr barrierat për organet hetimore, pra imunitetin, kryeministri hodhi një lumë akuzash ndaj ish-presidentit Bamir Topi, ish-nënkreut të KLD-së Kreshnik Spahiu për afera korruptive gjatë kohës kur ishin në detyrë.

“Drejtësia nën drejtimin e Topi tuaj dhe ‘faqeziut’ ishte në periudhën më të errët të saj. Flisni me gjykatësit dhe do të shihni që transferimi i një gjyqtari nga Durrësi në Tiranë ishte një aferë korruptive prej 500 mijë eurosh”, deklaroi Berisha duke akuzuar më pas edhe opozitën se ka patur nën kontroll drejtësinë nëpërmjet ish-presidentit Topi dhe ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Deklaratave të kryeministrit Berisha, i replikoi kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi. Zoti Ruçi akuzoi kryeministrin për uzurpim të sistemit të drejtësisë dhe se paketa e tyre synon ta çlirojë këtë sistem nga politika.

Kreu i socialistëve në parlament akuzoi mazhorancën për lidhje me Ilir Xhakjan, vrasësi i cili pak ditë më parë në Shijak, ekzekutoi Komisarin e Policisë. Ruçi tha se Xhakja është shfrytëzuar për të mbledhur vota nga mazhoranca në kohë fushate.

“Ilir Xhakja, që deri dje e përdorje për të mbushur shportën elektorale, sot mundohesh t’ia faturosh opozitës. Më kot mundohesh. Ai guxoi ngriti dorë në mes të ditës ndaj uniformës së shtetit sepse ju e mbrojtët”, tha Ruçi. (LajmeShqip.com)

*****************************************************

TIRANE – Pak përpara votimit të draftit aq të rëndësishëm dhe të përfolur, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, në një kohë kur PS ka rënë dakord ta votojë draftin, kryeministri Berisha e cilësoi këtë ditë si finalizimin e një lufte shumëvjeçare dhe një kapitull të ri për shqiptarët.

Sipas Berishës, mazhoranca nuk e ka humbur asnjëherë durimin për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe ka bërë të gjitha lëshimet e nevojshme, në mënyrë që të arrihej një draft konsensual i pranuar nga të gjitha palat.

“Për mua personalisht kjo është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme, është finalizimi i një beteje shumëvjeçare për realizimin e këtij akti madhor kushtetues, nga i cili theksoj nuk përfiton asnjë forcë politike, nuk mund të ketë kredibilitete individuale, nga i cili fiton qytetari, rendi kushtetues i Shqipërisë, Kushtetuta e vendit e cila bëhet një dokument më i drejtë më i barabartë për qytetarët e saj.”- u shpreh kryeministri.

Më tej shefi i qeverisë theksoi se mbetej i vendosur për ta përmbyllur çështjen e imunitetit me të gjitha mënyrat, duke përfshirë edhe zhvillimin e një referendumi, pavarësisht se do të shkonte kundër dëshirës së tij.

“Ju falënderoj jo se ju po votoni, por se dua të jem i hapur dhe i sinqertë. Referendumi, do shkoja kundër dëshirës sime, por për këtë çështje madhore unë kisha vendosur të shkonim drejt referendumit, pasi e konsideroja një çështje themelore jashtë tagrit tonë, kisha besim se shqiptarët do ta votonin. Kjo u shmang dhe për këtë ju falënderoj.”- vijoi Berisha. (LajmeShqip.com)