Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 18:25

Tiranë – Çështjet për sigurinë në Afganistan ishin në qendër të një takimi të ministrave  të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, zhvilluar në Bruksel.
Ky takim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Çikagos, që do të zhvillohet më 20-21 maj 2012, ku Shqipëria mbështet paketën e planit të mbrojtjes së NATO-s deri në vitin 2020, i njohur ndryshe me emërtimin “Smart Defence” dhe programin e mbrojtjes anti-raketore.

Zyra e shtypit e ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur sot se ministri Imami, i pranishëm në këtë takim, tha se “aktualisht 50 % e popullsisë afgane është nën përgjegjësinë e plotë të qeverisjes së sigurisë nga qeveria afgane. Do të vazhdojmë në fazën e tretë, që shkon deri në 75%, ndërsa në vitin 2014 flasim për të shkuar deri në 100%.  Ne themi që në 2014 do të kalojë përgjegjësia për sigurinë tek autoritetet afgane, të cilat do të kenë mbështetjen e plotë financiare dhe më tutje edhe prezencë me trupa”.

Sipas tij,  NATO nuk do të lejojë që Afganistani të kthehet pas 2014 në një parajsë për terrorristët, ndaj trajnimi i forcave afgane është i një rëndësie të veçantë dhe në këtë kuadër edhe Shqipëria ka rolin e saj. “Do të ketë një financim të rëndësishëm. Republika e Shqipërisë e ka marrë këtë vendim dhe do të ketë një pjesë modeste, aq sa i takon për madhësinë e buxhetit të saj, por do ta japë atë kontribut pas vitit 2014”,  nënvizoi ministri Imami. Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s kanë konfirmuar edhe një herë se tranzicioni i kompetencave të sigurisë nga forcat e NATO-s tek autoritetet afgane do të fillojë që në vitin 2013 dhe do të përfundojë në fund të 2014-ës. 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen, u shpreh se “NATO nuk do t’a braktisë Afganistanin, pavarësisht kostove financiare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë në plan të tërheqin trupat luftarake nga vendi deri në vitin 2014. Në mënyrë që ne t’i përgjigjemi afatit tonë, duke përfunduar tranzicionin në fund të 2014, duhet ta fillojmë këtë proces që në 2013-ën, ndoshta nga mesi i 2013-ës. Pra, nuk ka kontradikta duke përmendur mesin e 2013, si datë ku do të fillojë tranzicioni dhe fundi i 2014 si datë ku ky tranzicion do të përfundojë”. (LajmeShqip.com)