Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 16:01

Tiranë – Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi të martën disa ndryshime në ligjin “Për miratimin e kontratës së lidhur ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe shoqërisë “EUROCOPTER”, për furnizimin me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh”.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i pranishëm në komision, tha se Ministria e Mbrojtjes, nisur nga ecuria e zbatimit të kontratës dhe ngarkesës që ajo jep në buxhetin e shtetit, i propozoi kompanisë “EUROCOPTER” disa ndryshime në kontratë, të cilat nuk prekin vlerën e përgjithshme të saj dhe as cilësinë e konfigurimit të helikopterëve.

Ndryshimet e kërkuara kanë të bëjnë me zgjatjen e kohës së realizimit të kontratës, nga viti 2013 deri në 2014-n dhe furnizimin me 5 helikopterët të shtrirë në 3 vite buxhetore, përkatësisht 2 në 2012-n; 2 në 2013-n; 1 në 2014-n.

Sipas ministrit Imami, në negocimet e bëra gjatë këtij viti me kompaninë “EUROCOPTER” është diskutuar dhe për blerjen e një helikopteri ‘VIP’ dhe të dyja këto kontrata janë negociuar si një paketë e vetme.

Ministri i Mbrojtjes pohoi se blerja e këtyre helikopterëve rrit ndjeshëm kapacitetet e FA-së në përballimin e situatave të emergjencave civile. Ai deklaroi se “në vitin 2014 Shqipëria do të ketë një Flotë Ajrore, e cila do të përballonte, pa ndihmën e vendeve mike, një emergjencë civile si ajo e muajit janar apo e muajit dhjetor 2010 në qytetin e Shkodrës”.

Në vitin 2009, Ministria e Mbrojtjes lidhi një kontratë me shoqërinë “EUROCOPTER”, për blerjen e një pakete me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh, të tipit COUGAR AS532 AL, të versionit ushtarak të familjes së helikopterëve Super Puma.

Sipas ekspertëve, helikopterët që do të mbërrijnë në vendin tonë janë prodhime të viteve të fundit, me të gjitha kapacitetet bashkëkohore, modernë, të firmave më të mira evropiano-perëndimore, si dhe konkurues në të gjithë botën.