Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 12:55

Tiranë – Një tjetër kontingjent i Forcave të Armatosura Shqiptare u nis të hënën drejt Afganistanit. Në ambientet e Policisë Ushtarake u organizua sot ceremonia e përcjelljes së 22 efektivëve të Policisë Ushtarake, që do iu bashkohen trupave të ushtrisë shqiptare, që kontribuojnë në misionet ushtarake në Afganistan. Trupat dërgohen në kuadër të kontingjentit të 20-të në Kabul dhe do të veprojnë në përbërje të kontingjentit turk.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e cilësoi një mision të tillë në mbështetje të paqes e sigurisë globale. Sipas tij, Turqia ka dhënë ndihmesën e saj për përgatitjen e trupave ushtarake, për të përfaqësuar me dinjitet misione të tilla.

“Misionet në Kabul shfaqin dukshëm rritje për trupat shqiptare dhe një përmirësim të vazhdueshëm të tyre. Tashmë forcat tona janë të maturuara përkrah aleatëve. Për këtë arsye, misionet tona paqeruajtëse janë trefishuar”, vuri në dukje ministri Imami, gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Kontigjenti shkon në Afganistan pas një trajnimi paradislokues të realizuar brenda dhe jashtë vendit me asistencën e oficerëve të vendeve partnerë. Sipas komandantit të Policisë Ushtarake, Xhevdet Zeneli, në përgatitjen e trupave janë futur elementë të rinj për t’u përballur me terrorizmin dhe situatat e ndryshme në Afganistan.