Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 14:32

Tiranë – Shqipëria dhe Kosova janë të angazhuara në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në projektet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Kjo u konfirmua të premten gjatë një konference të përbashkët për shtyp të ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Arben Imami dhe ministrit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Agim Çeku, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.           
Ministri Imami, duke vënë në dukje ndihmën që pala shqiptare i ka ofruar Kosovës në këtë fushë, theksoi thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. 
“Republika e Shqipërisë ka dhënë shuma të konsiderueshme për FSK-në dhe këto përpjekje në të ardhmen do të jenë akoma më profesionale dhe më mirë të planizuara. Ne menduam të ngremë një grup pune për identifikuar nevojat dhe kapacitetet që ne ofrojmë”, tha Imami.
Ai mbështeti propozimin e ministrit kosovar për një takim të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të rajonit, nga i cili mund të konkludohet për organizimin e stërvitjeve të përbashkëta, me pjesëmarrjen e vendeve në këtë rajon.
Ministri i FSK-së, Çeku, kërkoi që Shqipëria të asistojë Kosovën në proceset integruese në kuadër të aspiratës për anëtarësim në NATO përmes projekteve rajonale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Shqipëria tashmë është vend anëtar i NATO, ndaj në këtë kuadër ne duam të përfitojmë nga përvoja e saj në proceset e integrimit euroatlantik. Besoj se Shqipëria do të jetë një zë i fuqishëm për përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale në fushën e mbrojtjes, që dhe ajo të japë kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon”, u shpreh ministri i FSK-së, Çeku.