Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 15:44

Prishtinë – Pas gati dy vite ndjekje penale ish –Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj që akuzohej për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare sot doli thuajse i lehtësuar nga Kinemaja ABC në Prishtinë, ku u shpall aktvendimi për rastin.

Tolaj shpëtoi nga dënimi për akuzat që kishin të bëjnë me korrupsion derisa u dënua vetëm për dy pika të aktakuzës që kishin të bëjnë me nxitje të falsifikimit të dokumenteve dhe shmangies nga tatimi.

Për të shpaguar pasojat e këtyre dy veprave ai u dënua me 18 muaj burg, 1 mijë euro gjobë dhe 3 vite ndalesë për të ushtruar funksion publik.

Përderisa i pandehuri tjetër, Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi (i cili deri në ngritjen e aktakuzës ndaj tij ishte Zëvendëskryeministër i Kosovës) u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Ky vendim sipas gjyqtares së rastit erdhi pasi nuk u gjenden prova që Tolaj dhe Bukoshi kishin keqpërdorur pozitën për të përfituar nga tenderët e MSH’së.

Përfshirja e përfaqësuesve qeveritarë në vepra penale dëmton tërë shoqërinë

Pas leximit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetarja e trupit gjykues foli edhe për arsyet e marrjes së vendimit të saj për dënimin e Tolajt dhe dy nga gjithsejtë shtatë të pandehurve në këtë rast.

Përveç argumenteve për kryerjen e dy veprave penale, ajo dha edhe një mendim për rëndësinë e pozitës së Tolajt në kohën kur ishte përfaqësues i Qeverisë.

“Populli i do të duhej të kishte besim të plotë në Qeveri dhe ata që përfaqësojnë atë duke pasur parasysh se përfshirja e tyre në veprat penale mund të përkeqësojë gjendjen në tërë shoqërinë”, tha gjyqtarja e EULEX’it, raporton Express. 

Por sipas saj gjykata e as prokuroria nuk kanë arritur të sigurojnë prova të besueshme se Tolaj dhe Bukoshi në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qeverisë kishin keqpërdorur pozitën për të përfituar materialisht.

“Të thuash se ke vepruar në emër të Ilir Tolajt nuk është provë se ai është fajtor”, tha gjyqtarja derisa iu referohej pikës 8 të aktakuzës ku thuhej se Tolaj kishte kërkuar ryshfet për një tenderë të MSH’së.

Një veprim të tillë, gjykata ka vërtetuar se e ka bërë vetëm ish- shefi i divizionit për cilësi të shërbimeve në MSH, Hajrullah Fejza.

“Hajrullah Fejza shpallet fajtor për pikën 8.2 të aktakuzës ku siç përshkruhet thuhet se ia ka kërkuar Milaim Abdullahut që t’i paguajë 10 për qind hise nga tenderi për të cilin kishte konkurruar ai në MSH”.

Njëjtë sipas gjykatës ai kishte vepruar edhe me pronarin e Pro Farm Helvetikas,Fadil Lubeniqin

Dënim me 8 muaj burg me kusht dhe ndalesë për të ushtruar shërbime në Administratën publike mori ish zyrtarja udhëzuese e MSH’së, Arbenita Pajaziti.

Përderisa, nga të gjitha pikat e aktakuzës, sikurse Bukoshi, u liruan Zenel Kuqi, Bekim Fusha dhe Ismet Hyseni.