Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 08:00

Tiranë- Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Ilir Meta është shfaqur në studion e televizive ndërsa gjatë intervistës, Ilir Meta ka lëshuar disa deklarata të forta, siç ishte dhe ajo për eleminimin fizik të tij.

“U tentua eliminimi politik dhe moral. U tentua arrestimi im para zgjedhjeve. U kërkua të komunikohej akuza një ditë para zgjedhjeve. U tentua eliminimi i partisë. Dhe pas 8 Majit pati tratativa me killera për eliminimin fizik të Ilir Metës. Janë disa çështje që duhet ti ndjekin disa struktura të tjera”, ka thënëMeta.

Duke folur për videon e skandalit, ku ai shfaqej duke përmendur 700 mijë euro, Meta ka ripërsëritur se ajo ishte e manipuluar. Meta u shpreh se dha dorëheqjen pas shfaqjes jo se ndihej fajtor, por sepse kishte informacion se do të përdorej për dhunë dhe viktima.

“Nuk kisha ndërmend të jepja dorëheqjen sepse e dija se ishte një montazh. Kjo video përdorej për të thënë se është i përgjuar e po bëri këtë do bëjë atë. Këto presione i ka patur edhe kryeministri. I kam thënë vet kryeministrit disa ditë më përpara. I thashë se po më bëhet shantazh dhe se unë nuk e pranoj. Pse dhashë dorëheqjen një natë pasi thashë do vazhdoj punën? Kjo ka të bëjë me arsyet e një informacioni të veçantë që unë kisha nga burime inteligjente ndërkombëtare që ky lloj manipulimi do përdorej për të nxitur dhunë dhe viktima. Që populli u shokua nga korrupsioni dhe ka të drejtën të shpërthejë, ti vërë zjarrin qeverisë dhe gjithë bulevardit”, u shprehMeta.

I pyetur për një video tjetër ku është e regjistruar edhe gruaja e tij Monika Kryemadhi ai tha se “u kam thënë dhe po ju them se çdo qytetar që ka materiale, letra, video, audio e çdo gjë tjetër komprometuese për mua apo për bashkëshorten time t’i çojë në prokurori. Por, nëse ju jeni dakord me këtë lloj morali në politikën shqiptare dhe çdo lloj morali që unë të vij në shtëpi e të përgjoj, të vij në zyrë e të përgjoj, që përgjojmë njëri-tjetrin dhe bëjmë shantazhe atëherë të jeni të sigurtë se moralin e kësaj shoqërie e kemi shumëzuar me zero. Ftoj çdo qytetar që ka të dhëna, fakte, prova e video për Ilir Metën ti çdoj në prokurori. Kushdo që ka për bashkëshorten e Ilir Metës ti çojë në prokurori. Të jeni të sigurtë se gruan time nëse ka shkelur ligjin nuk do ta hedh nga ballkoni e as ti them vdeksh, të përgjigjet para ligjet e të shkojë në burg nëse ka shkelur ligjin”.

Në fund, duke folur për darkën me Berishën tre ditë para vendimit të gjykatës, ai ka thënë se ka qenë vajza e tij që e ka ftuar për darkë Berishën. Kjo, pasi sipas Metës, Berisha i kishte bërë disa komplimente asaj dhe për këtë arsye ajo e ftoi për darkë!