Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 15:54

Ndonëse lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet prioritet i të gjitha institucioneve shtetërore dhe agjencioneve të thirrura për të zbatuar ligjin në vend, realiteti tregon se ky prioritet mbetet vetëm në letër.

Këto janë vlerësimet e dala nga raporti me analizë dhe rekomandime “Në Kërkim të Rrugës për Luftimin e Korrupsionit”, të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku u tha se që nga viti 2013 deri më 2015, është shtuar numri i rasteve të pazgjedhura, nga 515 në 589 raste.

Drejtori ekzekutiv i këtij institutit, Betim Musliu deklaroi se Kosova ende po dështon në luftimin e këtij fenomeni.

“Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet prioritet absolut i shpallur në letër nga të gjitha institucionet dhe agjencionet që e zbatojnë ligjin në Kosovë. Po në fakt në praktik të gjitha të dhënat tregojnë se luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet thjeshtë një prioritet në letër dhe assesi nuk është duke u luftuar në praktik sidomos këtu e kam fjalën për l uftimin e korrupsionit në nivel të lartë”, tha Musliu.

Sipas tij, institucionet e thirrura për të zbatuar ligjin në Kosovë, vazhdojnë të përballen me presione të ndryshe në mënyrë që të dëshmojnë që janë duke punuar, por se në fund rezultate e paraqitura nga hetimet me bujë të madhe, po rezultojnë të jenë të pakta.

“Përkundër faktit që në Kosovë ka shumë strategji dhe shumë plane të veprimit e të cilat do të duhej të tregonin efikasitet në luftimin e korrupsionit, në praktik kjo nuk ka ndodh. Ajo që sot po e shohim është një presion i sistemit të drejtësisë që të dëshmoj rezultate dhe me anë anën tjetër është duke u parë me vite të tëra, sidomos në vitet e fundit, një punë e cila është duke filluar me bujë të madhe por që në fund po rezulton pa kurrfarë suksesi. Ka pra një rrugë të humbur të sistemit të drejtësisë”, tha Musliu.

Musliu po ashtu tha se drejtësia në vendin tonë paraqitet selektive në raste të caktuara.

Ndryshe, në raportin e publikuar thuhet se që prej se ka hyrë në fuqi Plani i Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit më 4 nëntor 2013, plan ky i bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga 515 raste të pazgjidhura me 1,682 persona që ka pasur në fillim të punës, deri më 30 qershor 2015 është shtuar numri i rasteve të pazgjidhura në 589 raste me 1,702 persona të përfshirë në to.

Nga raporti kanë dal edhe disa rekomandimet nga IKD për institucionet e drejtësisë në vend. /kp/